Policia e Kosovës ka nisur hetime për veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, pasi në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë janë gjetur dokumente të ndryshme në posedim të një personi.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur më 27 korrik 2026, rreth orës 13:15, gjatë kontrollit të një automjeti në hyrje të Republikës së Kosovës, të cilin e drejtonte një i dyshuar, shtetas i Kosovës.
Gjatë kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur dokumente të ndryshme që u përkisnin personave të tjerë, përfshirë certifikata të lindjes, certifikata të shtetësisë dhe certifikata të martesës të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, kopje të letërnjoftimeve të Republikës së Kosovës, si dhe vendime të ndryshme të gjykatave të Serbisë.
I dyshuari është intervistuar lidhur me rastin, ndërsa me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt hetimore.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për rastin janë duke vazhduar.