Komuna e Prishtinës ka shprehur ngushëllime për familjen e punëtorit që humbi jetën në aksidentin e ndodhur të martën në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor vdiq, ndërsa një tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Në një njoftim zyrtar, Komuna bëri të ditur se i lënduari ndodhet në trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Kryeqyteti shpreh pikëllimin e thellë për aksidentin tragjik të ndodhur sot në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’, ku si pasojë e rrëzimit të një kranoje një punëtor ka humbur jetën, ndërsa një punëtor tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe, sipas informatave nga ekipet mjekësore, ndodhet në gjendje të rëndë, por stabile, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Në emër të Kryeqytetit, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të viktimës, duke uruar një shërim sa më të shpejtë për të lënduarin”, thuhet në njoftim.
Komuna theksoi se menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë reaguar institucionet përgjegjëse, duke përfshirë Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca.
“Të gjitha ekipet kanë vepruar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes. Kryeqyteti falënderon secilin pjesëtar të shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet më tej.
Sa i përket shkaqeve të aksidentit, Komuna njoftoi se hetimet tashmë kanë nisur në koordinim me organet kompetente.
“Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Njëkohësisht, Kryeqyteti rithekson rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve”, thotë njoftimi i Komunës së Prishtinës.