Arrestohet në Francë biznesmeni shqiptar, i kërkuar nga SPAK-u

Prishtinë | 29 Kor 2026 | 13:51 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shtetit në Shqipëri njoftoi se biznesmeni Ermal Beqiri është arrestuar në Francë. Ai është i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK). Beqiri pritet të ekstradohet në Shqipëri.

Beqiri është pjesë e një prej dosjeve më të rëndësishme hetimore në Shqipëri, që lidhet me dyshimet për abuzime me tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

AKSHI është institucioni qendror që administron dhe zhvillon infrastrukturën e teknologjisë së informacionit të Qeverisë shqiptare, përfshirë platformën e-Albania, sistemet elektronike shtetërore dhe ndërveprimin mes bazave të të dhënave të institucioneve publike. Agjencia mbikëqyret drejtpërdrejt nga kryeministri i Shqipërisë.

Për këtë dosje janë vendosur masa sigurie ndaj tetë personave, mes tyre edhe ndaj ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Më 16 dhjetor 2025, ndaj saj u vendos fillimisht masa e sigurisë “arrest shtëpiak”, ndërsa në shkurt të këtij viti ajo dha dorëheqjen nga drejtimi i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Masa e sigurisë ndaj Karçanajt u zbut më pas nga Gjykata e Lartë, në detyrim paraqitje, ndërsa në fuqi është masa ndaj saj që ia ndalon daljen nga shteti pa autorizim.

Sipas SPAK-ut, Karçanaj dyshohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë”, të kryer në bashkëpunim dhe në kuadër të “një grupi të strukturuar kriminal” Prokuroria pretendon se, në cilësinë e drejtoreshës së AKSHI-t, ajo ka pasur rol në procedurat e prokurimit publik dhe në favorizimin e kompanive të caktuara në disa tenderë të agjencisë. Nën hetim për të njëjtat akuza është edhe ish-zëvendësdrejtuesja e AKSHI-t.

Sipas SPAK, dy personat e tjerë me role të rëndësishme në hetim janë biznesmenët Ermal Beqiri, i cili pritet të ekstradohet në Shqipëri, dhe Ergys Agasi, i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Katër personat e tjerë të përfshirë në hetim lidhen me kompani private, procedurat e tenderëve dhe elementë të tjerë të skemës së dyshuar.

Të ngjashme