Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar lidhur me situatën në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, duke e cilësuar atë si një gjendje jashtë standardeve të shtetit të së drejtës.
Në një reagim të publikuar, Pacolli ka thënë se aeroporti po mbahet peng nga persona që, sipas tij, po veprojnë në kundërshtim me ligjin, ndërsa ka kritikuar mungesën e reagimit të institucioneve përgjegjëse për rikthimin e rendit ligjor.
Ai ka theksuar se projekti i Aeroportit të Vlorës, si një nga investimet më të rëndësishme të partneritetit publik-privat në Shqipëri, rrezikon të dëmtohet financiarisht, teknikisht dhe në aspektin reputacional.
Pacolli ka përmendur edhe kompaninë zvicerane Mabco, e cila sipas tij ka investuar qindra milionë euro në bazë të një kontrate koncesionare, duke shtuar se Gjykata e Lartë ka vendosur në favor të saj në çështjet e shqyrtuara.
“Pavarësisht dhjetëra denoncimeve dhe kallëzimeve të paraqitura pranë institucioneve kompetente, deri më sot nuk është ndërmarrë asnjë veprim efektiv për rikthimin e ligjshmërisë”, ka shkruar Pacolli.
Ai i ka bërë thirrje SPAK-ut, Prokurorisë dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të nisin hetime të plota, të pavarura dhe transparente për të verifikuar, siç u shpreh ai, çdo ndërhyrje të paligjshme dhe për të përcaktuar përgjegjësitë.
Sipas Pacollit, Aeroporti i Vlorës nuk duhet të vazhdojë të dëmtohet nga interesa të paligjshme, ndërsa institucionet mbeten pasive.
“Drejtësia duhet të veprojë tani – me profesionalizëm, pavarësi dhe vendosmëri. Heshtja institucionale nuk mund të jetë përgjigjja ndaj një situate që cenon rëndë ligjin, interesin publik dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë”, ka përfunduar ai.