Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Kuvendi i Jashtëzakonshëm i partisë përfaqëson “demokracinë në veprim” dhe dëshmon se Lidhja Demokratike e Kosovës ka mekanizma statutorë e demokratikë për reflektim dhe konsolidim.
Sipas Hotit, qëllimi i Kuvendit është forcimi i LDK-së, me synimin që ajo të rikthehet si forca kryesore politike në vend.
“Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë”, ka shkruar ai në Facebook.
Hoti ka theksuar se punimet e Kuvendit do të zhvillohen në frymë demokratike, me debat të hapur dhe respekt të ndërsjellë, duke shtuar se “fitues do të jetë LDK-ja”, pasi Kuvendi nuk është kundër askujt, por është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e partisë.
Ai ka nënvizuar se të gjithë do t’i nënshtrohen vendimeve që do të dalin nga Kuvendi, pa përjashtim, duke shprehur bindjen se LDK-ja do të dalë e bashkuar për të ardhmen e saj dhe të Republikës së Kosovës.
Postimi i tij i plotë:
Sot, Kuvendi i jashtëzakonshëm të LDK-së është praktikisht ‘demokracia në veprim’ brenda partisë. Thirrja e këtij Kuvendi është dëshmi se LDK-ja ka mekanizmat e saj statutorë dhe demokratikë për të reflektuar, për t’u konsoliduar dhe për t’u bërë më e fortë.
Nga ky Kuvend do të dalim më të fortë për ta kthyer LDK-në si forcën kryesore politike në Kosovë. Vetëm një LDK e fortë mund t’i shërbejë Kosovës. Një LDK e dobët është në interes vetëm të kundërshtarëve politikë, që duan një skenë politike pa alternativë.
Kuvendi do të zhvillohet në frymë demokratike, të debatit të hapur e të respektit të secilit për secilin. Në këtë Kuvend fitues do të jetë LDK-ja. Sepse Kuvendi nuk është kundër askujt. Kuvendi është thirrur për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e LDK-së.
Vullnetit të Kuvendit do t’i nënshtrohemi të gjithë, pa përjashtim. Nga Kuvendi do të dalim të bashkuar për të ardhmen e LDK-së dhe të Republikës së Kosovës.
Zoti e bekoftë LDK-në dhe Republikën e Kosovës!