Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka nisur sot aktivitetin për mbledhjen e nënshkrimeve në kuadër të nismës legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës në Sheshin Shadërvan në Prizren. Që nga orët e paradites, aktiviteti është karakterizuar me interesim të madh të qytetarëve për t’u informuar rreth përmbajtjes së nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimet e tyre.
Mbështetje për këtë nismë kanë dhënë edhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorë të drejtorive komunale, anëtarë të Kuvendit Komunal, si dhe qytetarë të shumtë të Prizrenit, të cilët kanë nënshkruar në mbështetje të kësaj nisme legjislative qytetare.
Përmes kësaj nisme propozohet që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të përcaktohet si vepër penale, si dhe të ndalohet përdorimi i parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së integritetit të procesit zgjedhor.
Aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve është duke vazhduar sot dhe do të vazhdojë edhe nesër, më 31 korrik 2026, nga ora 10:00 deri në ora 15:00, në Sheshin Shadërvan në Prizren.
IKD fton qytetarët e Prizrenit që t’i bashkohen kësaj nisme, të informohen për përmbajtjen e saj dhe ta mbështesin me nënshkrimin e tyre.