Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj, ka reaguar pas kërkesës së Serbisë për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër, duke e quajtur projekt politik serbomadh.
Haradinaj ka shkruar se është antikombëtare nëse Shqipëria e lejon të ndodhë një gjë e tillë, që nuk justifikohet as nga historia e as nga interesi kombëtar shqiptar.
Me këtë rast, ajo i ka përmendur zhvillimet aktuale në Kosovë, konkretisht gërmimet për varrezë masive.
“Vërtetë e turpshme e antikombëtare nëse Shqipëria lejon të bëhet instrument i strategjisë diplomatike të Serbisë.
Nëse është e vërtetë se Serbia do të lejohet të hapë një Konsullatë në Shkodër, atëherë ai që mendon se ky është një akt rutinë konsullor, gabohet rëndë. Konsullata serbe në Shkodër është një projekt politik serbomadh, që nuk mbështetet në asnjë nevojë reale konsullore. Nuk justifikohet nga pesha demografike e komunitetit serb. Nuk justifikohet nga historia. Nuk justifikohet nga interesi kombëtar shqiptar.
Përkundrazi, krijon një simetri të rreme me kërkesën plotësisht legjitime për një Konsullatë Shqiptare në Bujanoc, ku jetojnë mijëra shqiptarë autoktonë të diskriminuar, të cilëve Serbia vazhdon t’u mohojë të drejtat politike, kombëtare dhe institucionale, tërësisht e pasfiduar nga Shqipëria!
Ky është barazim i padrejtë e i turpshëm mes agresorit diplomatik dhe viktimës së diskriminimit. NUK ËSHTË RECIPROCITET!
Serbia nuk mund të kërkojë privilegje të reja diplomatike në hapësirën shqiptare, ndërkohë që mban në fuqi pretendimin kushtetues/territorial mbi Kosovën, ekzekuton e financon agresione terroriste, zhvillon fushata globale kundër njohjeve të saj, mohon krimet e luftës, fshehë varrezat masive, dhe glorifikon autorët e tyre.
Shteti që organizoi dekada spastrimi etnik e gjenocidi ndaj shqiptarëve nuk mund të sillet sot si partner i zakonshëm i shqiptarëve, pa u përballur më parë me të kaluarën dhe me përgjegjësinë e tij.
Interesi kombëtar shqiptar është të mbrojë shqiptarët anembanë, të ndihmojë Republikën e Kosovës, të forcojë pozitën ndërkombëtare të saj dhe të mos legjitimojë asnjë hap që i shërben strategjisë së Beogradit, ndërkohë që vazhdon ta mbajë Kosovën brenda Kushtetutës së vet. Interesi kombëtar shqiptar NUK është të normalizojë ambiciet serbomëdha.
A e din qeveria shqiptare se këtë javë është zbuluar edhe një varrezë masive me mbetjet mortore të viktimave të gjenocidit serb në Kosovë?!”