Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u ka thënë delegatëve në Kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj partie se ai po e vë fatin e tij në duart e tyre, e kërkoi që ata ta vënë fatin e kësaj partie dhe të Kosovës mbi të tijin, raporton Ekonomia Online.
Abdixhiku ka thënë se në këtë kuvend LDK-ja duhet të vendosë për drejtimin që do të ndjekë në të ardhmen, duke kërkuar që vendimet të merren përmes proceseve të rregullta demokratike.
“Sot, në këtë kuvend, duhet ta definojmë se çfarë partie duhet e duam të jemi, një parti e reformës, apo një parti e status quo-së, një parti që ecën përpara, apo që kthehet e dëshiron të kthehet pas, një parti që i fiton betejat me ide e me punë, apo një parti që konsumohet me beteja të brendshme e të pafundme publike. Në këtë definim duhet e duhet të jemi të qartë për gjëra fundamentale, të qartë se gjërat zhvillohen në zgjedhje të rregullta në LDK, jo në përplasje të jashtëzakonshme, të njëanshme e shkarkuese, të qartë se pakënaqësia është e drejtë, por rruga për të shprehur atë është demokracia e rregullt, jo përçarja e vazhdueshme publike e mediatike, të qartë se askush, asnjëri nga ne, nuk ka të drejtë të mbajë peng partinë e as shtetin, sa herë që nuk pajtohet me verdiktin e shumicës”, tha ai.
Ai ka deklaruar se do ta pranojë çdo vendim të delegatëve, duke theksuar se nuk ka pasur frikë nga verdikti i anëtarësisë së partisë.
“Çfarëdo vendimi që merrni, unë do ta pranoj me krenari, me përulësi dhe me besim se kjo shtëpi ka zgjedhur rrugën e drejtë. Nga verdikti i anëtarësisë sime nuk kam pasur frikë asnjëherë. Shpresoj dhe dua të besoj se edhe të tjerët do ta bëjnë të njëjtën gjë. Për fund, siç edhe kam thënë në kuvendin e fundit, shumë sy kanë qenë të drejtuar nga kjo karrige këtu prapa meje”, theksoi ai.
Kryetari i LDK-së ka folur edhe për garën e brendshme dhe ambiciet për udhëheqjen e partisë, duke thënë se fuqia e LDK-së nuk lidhet vetëm me një pozitë apo individ.
“I kuptoj, i respektoj. Kjo shtëpi, LDK-ja, ka nevojë për ambicien e secilit. Shpesh kam përshtypjen, fatkeqësisht, se ajo është lakmuar më shumë se sa që është kuptuar. Sepse forca e vërtetë e LDK-së nuk qëndron në një karrige të vetme, ajo qëndron këtu përballë meje, në këtë sallë, në vullnetin tuaj, në atë çka ju përfaqësoni, ju dhe gjithë anëtarësia e LDK-së. Këtu përcaktohet fati i secilit prej nesh dhe këtu matet fuqia jonë e vërtetë”, shtoi Abdixhiku.
