Rama: Lajm i mirë që VV-ja po i drejtohet Prokurorisë, udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 10:07 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar lidhur me kallëzimin penal që asamblistët e VV-së kanë dorëzuar në Prokurori Speciale, duke pretenduar për përfshirje të kryetarit Përprim Rama dhe zyrtarëve të lartë të Komunës në legalizime të kundërligjshme të objekteve.

Përmes një postimi, Rama tha se e mirëpret faktin që rasti po i drejtohet Prokurorisë.

“Mirëmëngjesi. E para, po m’vjen mirë që më në fund po i drejtoheni Prokurorisë. Është lajm i mirë”, ka shkruar ai.

Rama ka bërë edhe një koment politik, duke i kërkuar Kryeministrit që t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë.

“Tash udhëzojeni edhe Kryeministrin t’i përgjigjet Prokurorisë, sepse ka më shumë se dy vjet që nuk i përgjigjet ftesës për intervistim”, është shprehur ai.

Kryetari i Prishtinës ka ritheksuar se Komuna do të vazhdojë të jetë e hapur për bashkëpunim me institucionet e drejtësisë.

“Dyert e Kryeqytetit kanë qenë dhe mbeten të hapura për organet e drejtësisë. Garantojmë bashkëpunim të plotë, transparent dhe institucional për çdo kërkesë të Prokurorisë, si gjithmonë, padiskutim”, ka deklaruar Rama.

Ai ka përsëritur se pas vendimit të Prokurorisë do të ndërmerren të gjitha veprimet ligjore ndaj çdo personi që rezulton se ka shkelur ligjin.

“Pas vendimit të Prokurorisë, do t’i ndërmarrim pa asnjë hezitim të gjitha veprimet dhe procedurat ligjore ndaj kujtdo që rezulton se ka shkelur ligjin”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme