Arrestohet në Kosovë një i kërkuar nga Interpoli, përdorte identitet të një personi të vdekur

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 13:31 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë zbuluar një rast të rëndë të keqpërdorimit të identitetit, i cili çoi në arrestimin e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje dhe vepra të tjera të rënda penale.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, operacioni u zhvillua në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) të Policisë së Kosovës, si dhe me partnerët ndërkombëtarë të zbatimit të ligjit.

Hetimet nisën më 17 qershor 2026, kur një person me inicialet B.K. u paraqit në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) për të vazhduar dokumentet e identifikimit. Gjatë verifikimit, zyrtarët zbuluan se identiteti i përdorur i përkiste një personi të ndjerë prej shumë vitesh, duke ngritur dyshime për keqpërdorim të identitetit.

I dyshuari u shoqërua në Polici dhe u intervistua në prani të avokatit, por zgjodhi të mos japë deklaratë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit ai u ndalua për 48 orë, ndërsa më pas Gjykata caktoi masën e paraburgimit.

Për verifikimin e identitetit të tij të vërtetë, autoritetet kosovare aktivizuan bashkëpunimin ndërkombëtar përmes Interpolit dhe Europolit, duke shpërndarë të dhënat biometrike dhe gjurmët e gishtërinjve.

Nga informacionet e marra nga autoritetet e Gjermanisë, Francës, Austrisë, Belgjikës, Shqipërisë, Hungarisë dhe shteteve të tjera partnere, u konfirmua se i dyshuari kishte përdorur pesë identitete të ndryshme, të lidhura kryesisht me Greqinë, Shqipërinë dhe Kosovën, me të cilat kishte vepruar dhe udhëtuar në disa vende evropiane.

Si rezultat i hetimeve të mëtejshme dhe bashkëpunimit me autoritetet e Gjermanisë dhe Shqipërisë, u identifikua se personi i arrestuar është shtetasi shqiptar me inicialet E.K., i cili kërkohej me njoftim të kuq (Red Notice) nga Interpoli.

Autoritetet shqiptare kanë konfirmuar se E.K. është i dënuar me 17 vjet burgim për veprat penale “Vrasje” dhe “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”.

Të ngjashme