Dogana zbulon medikamente të padeklaruara në një autobus në PKK Dheu i Bardhë, vlera rreth 6 mijë euro

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 16:02 | Nga Ekonomia Online

Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një tentim për futjen në territorin e Kosovës të medikamenteve të padeklaruara, të fshehura në një autobus në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit rutinor është identifikuar një hapësirë e kamufluar në shkallët e autobusit. Gjatë kontrollit të detajuar janë zbuluar disa pako të fshehura, të cilat fillimisht dyshohej se përmbanin çaj, por pas verifikimit është konstatuar se bëhej fjalë për medikamente të padeklaruara.

Postimi plotë;

Dheu i Bardhë, 30 korrik 2026 – Zyrtarët doganorë të Doganës së Kosovës kanë parandaluar një rast të tentim, futjes në territorin e Republikës së Kosovës të medikamenteve të padeklaruara, të fshehura në një autobus, gjatë kontrolleve të rregullta në Pikën e Kalimit Kufitar Dheu i Bardhë.
Gjatë kontrollit rutinor, zyrtari doganor ka identifikuar një hapësirë të kamufluar në shkallët e autobusit. Me rastin e kontrollit të detajuar të kësaj hapësire janë zbuluar disa pako të fshehura, të cilat, bazuar në paketimin e tyre, në shikim të parë dyshohej se përmbanin çaj. Megjithatë, pas hapjes dhe verifikimit të përmbajtjes është konstatuar se në to ndodheshin medikamente të padeklaruara.
Vlera e përafërt e mallit të zbuluar është rreth 6,000 euro.


Para fillimit të kontrollit fizik, vozitësi i autobusit ishte intervistuar nga zyrtarët doganorë dhe ishte pyetur nëse posedonte mallra ose mjete monetare për deklarim. Ai kishte deklaruar se nuk kishte asgjë për të paraqitur pranë autoriteteve doganore.
Mosdeklarimi i mallrave para autoriteteve doganore përbën kundërvajtje doganore, në kundërshtim me dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave Nr. 08/L-247, i cili obligon çdo person që hyn ose del nga territori doganor i Republikës së Kosovës me mallra, t’i deklarojë ato në përputhje me procedurat doganore në fuqi.


Duke pasur parasysh natyrën e mallit dhe rrethanat e rastit, autobusi është dërguar në terminalin doganor për kontroll të mëtejshëm. Procedurat janë zhvilluar në bashkëpunim me Policinë Kufitare, ndërsa pas përfundimit të ekzaminimit janë ndërmarr veprimet e parapara me legjislacionin në fuqi.
Dogana e Kosovës rikujton se importi i medikamenteve i nënshtrohet kërkesave të veçanta ligjore dhe, varësisht nga lloji dhe sasia e tyre, mund të kërkojë autorizime dhe dokumentacion përkatës nga institucionet kompetente. Çdo tentim për fshehje ose mosdeklarim të mallrave cenon sigurinë e zinxhirit të furnizimit, konkurrencën e ndershme dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës, luftimin e kontrabandës dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve përmes kontrolleve efektive dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet përgjegjëse.

Të ngjashme