Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi në komunat e Prizrenit dhe Suharekës, pasi gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
Sipas njoftimit, inspektimet janë zhvilluar në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe të sigurisë dhe shëndetit në punë.
“Gjatë inspektimeve janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore, të cilat paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në të dy kantieret deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara”, thuhet në njoftim.
Sipas Inspektoratit, këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët.
“Subjektet e inspektuara janë obliguar të eliminojnë të gjitha mangësitë e konstatuara, ndërsa punimet do të lejohen të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet më tej.
Inspektorati Qendror i Punës ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës dhe do të ndërmarrë masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve.
Njëkohësisht, Inspektorati Qendror i Punës u bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, pasi mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm.