Pacolli: Organizatorët e festivaleve dhe koncerteve do të kenë obligime të reja për mbrojtjen e mjedisit

Prishtinë | 31 Kor 2026 | 19:50 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se janë vendosur rregulla të reja për organizatorët e ngjarjeve publike, me qëllim mbrojtjen e mjedisit gjatë festivaleve, koncerteve dhe aktiviteteve të tjera.

Pacolli ka thënë se çdo organizator nga tani do të jetë i obliguar të sigurojë menaxhim të duhur të mbeturinave, pastrim të hapësirave pas përfundimit të aktiviteteve dhe respektim të standardeve për zhurmën, ajrin, ujin dhe natyrën.

“Mbrojtja e mjedisit është standard që duhet respektuar nga secili organizator i ngjarjeve publike! Kemi nxjerrë vendim që vendos rregulla të qarta dhe masa të detyrueshme për organizimin e festivaleve, koncerteve dhe çdo aktiviteti tjetër publik, me qëllim mbrojtjen e mjedisit”, ka shkruar Pacolli.

Ajo ka bërë të ditur se për aktivitetet që kanë ndikim më të madh në mjedis, komunat do të kenë mundësi të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirave.

“Për aktivitetet me ndikim më të madh, komunat do të mund të kërkojnë edhe garanci financiare për rehabilitimin e hapësirës. Ky vendim shënon një standard të ri të përgjegjësisë mjedisore në Kosovë”, ka deklaruar ministrja në detyrë.

Sipas saj, zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të jetë në harmoni me mbrojtjen e mjedisit.

“Zhvillimi i jetës kulturore dhe argëtuese duhet të ecë krah për krah me mbrojtjen e mjedisit. Do të jemi të pakompromis në zbatimin e këtyre masave, sepse një mjedis i pastër është përgjegjësi e përbashkët dhe detyrim ndaj brezave që vijnë”, ka theksuar Pacolli.

Të ngjashme