Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 31-të, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë Raportin Gjashtëmujor Financiar të Buxhetit të Kosovës për vitin 2026 dhe ndarjen e mjeteve për masa ekonomike e aktivitete kulturore.
Sipas njoftimit të Qeverisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, të hyrat buxhetore kanë arritur në mbi 1.8 miliardë euro, ndërsa shpenzimet kanë kaluar 1.7 miliardë euro.
“Ky raport përmban një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së këtij gjashtëmujori të vitit 2026. Gjatë këtij gjashtëmujori pranimet ishin në shumë prej 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërkaq shpenzimet gjatë gjashtëmujorit arritën shumën prej 1 miliard e 777.50 milionë euro”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Në këtë mbledhje, ekzekutivi në detyrë ka ndarë edhe 21 mijë euro për realizimin e shfaqjes “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.
“Janë ndarë mjete financiare në shumën prej 21,000.00 euro për realizimin e shfaqjes ‘Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia’ me regji të Mario Banushit”, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar ndarjen e 1.4 milionë eurove për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Janë ndarë mjete buxhetore në shumë prej 1,400,000.00 euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në njoftim.
Ndër vendimet e miratuara ishte edhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit për miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, të miratuar më 22 maj 2026.
“Është miratuar vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 08/20 të datës 22 maj 2026 për miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0”, njoftoi Qeveria në detyrë.