Një anije cisterne është goditur nga një predhë e panjohur pranë brigjeve të Omanit, duke pësuar dëmtime të mëdha dhe duke mbetur jashtë kontrollit, njoftoi Agjencia Britanike për Operacionet e Tregtisë Detare (UKMTO).
Sipas njoftimit, anija ndodhej rreth 11 milje detare në verilindje të qytetit Lima, kur u godit nga një objekt i paidentifikuar.
Sulmi shkaktoi dëmtime në sistemin e motorëve, duke e bërë të pamundur manovrimin e tankerit.
Autoritetet britanike nuk kanë bërë të ditur se çfarë lloj predhe është përdorur dhe as nuk kanë identifikuar autorët e sulmit. Gjithashtu, deri tani nuk ka informacione për të lënduar apo për viktima në mesin e ekuipazhit.
Incidenti ndodhi në orët e para të së shtunës, në një kohë kur tensionet e sigurisë në rajonin e Ngushticës së Hormuzit mbeten të larta pas përshkallëzimit të konfliktit ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e naftës dhe gazit, ndaj çdo incident në këtë zonë ngjall shqetësim për sigurinë e lundrimit dhe furnizimin global me energji.