Një valë e fuqishme zjarresh ka përfshirë disa zona të Greqisë, ndërsa fronti më i rrezikshëm vijon të jetë në Porto Germeno, në Atikën Perëndimore, ku flakët janë përhapur me shpejtësi duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e disa zonave të banuara.
Zjarri ka arritur në malin Kithaironas dhe po zbret drejt zonës së Venizës, ndërsa për shkak të përmasave të mëdha të tij është aktivizuar mesazhi emergjent 112 për evakuimin e banorëve në Alepochori, Psatha, Veniza, Loumpa dhe Zachouli, me udhëzim që të drejtohen drejt Megarës.
Autoritetet greke e përshkruajnë situatën si një nga vatrat më të vështira të ditës, ndërsa erërat e forta deri në stuhi kanë penguar ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve ajrore. Sipas zëdhënësit të Zjarrfikëses greke, Janis Artopios, gjatë ditës kanë marrë pjesë rreth 30 mjete ajrore, por në shumë raste ato nuk kanë mundur të operojnë për shkak të kushteve ekstreme të motit.
“Asgjë nuk ka përfunduar ende. Do të kemi një natë të vështirë dhe të gjitha forcat do të qëndrojnë në gatishmëri”, deklaroi Artopios, duke u bërë thirrje qytetarëve të ndjekin me përpikëri udhëzimet e autoriteteve.
Në operacionin e shuarjes së zjarrit në zonën e Porto Germenos janë angazhuar më shumë se 450 zjarrfikës, 126 mjete zjarrfikëse dhe ekipe të përforcuara nga Franca dhe Rumania. Forcat tokësore po përpiqen të krijojnë zona mbrojtëse për të ndalur përhapjen e flakëve, veçanërisht në zonën e Agia Paraskevi dhe Agios Nektarios.
Sipas autoriteteve lokale, dëmet në Porto Germeno janë të konsiderueshme. Nënkryetari i bashkisë Mandra-Eidyllias, Dimitris Pagonis, vlerësoi se më shumë se 100 banesa janë djegur ose kanë pësuar dëmtime. Banorët e zonave Agia Paraskevi, Mytikas, Kryo Pigadi dhe Agios Nektarios janë urdhëruar të largohen për arsye sigurie.
Pamje dramatike janë publikuar nga zona, ku banorët kanë përshkruar dëmet e mëdha. Disa prej tyre kanë deklaruar se zona është kthyer në një “tokë të djegur”, ndërsa shumë familje kanë humbur shtëpi dhe prona të ndërtuara gjatë dekadave.
Përveç Porto Germenos, vatra të tjera aktive janë regjistruar në Fokidë, Beoti dhe Aigialeia. Në Skaloma të Fokidës, flakët kanë detyruar autoritetet të dërgojnë mesazhe evakuimi për zonat Klima, Pigi, Koukoura, Nea Koukoura, Magoula, Pefkaki dhe Efpalio.
Në Beoti vijon beteja me zjarret në zonat Domvrena dhe Agios Nikolaos, ndërsa dy zjarrfikës janë dërguar në spital gjatë operacioneve të shuarjes. Njëri prej tyre ka pësuar probleme kardiake.
Ndërkohë, situata paraqitet më e përmirësuar në Rethymno të Kretës dhe në Aigialeia, ku intensiteti i erërave është ulur dhe ekipet po përpiqen të kontrollojnë vatrat e mbetura. Në Aigialeia po operojnë 96 zjarrfikës, 30 mjete tokësore dhe 12 mjete ajrore.
Sipas shërbimit grek të Mbrojtjes Civile, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë regjistruar 59 zjarre në zona bujqësore dhe pyjore, prej të cilave 45 janë kontrolluar në fazat e para, ndërsa për pjesën tjetër vijojnë operacionet.
Autoritetet greke kanë ngritur alarmin për kushtet ekstreme meteorologjike dhe kanë kërkuar nga qytetarët të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr, ndërsa ekipet e emergjencës mbeten në gatishmëri gjatë gjithë natës./ Protothema