Koci: Edhe një qytetar i Kosovës ndalohet nga autoritetet serbe

Prishtinë | 02 Gus 2026 | 08:30 | Nga Ekonomia Online

Avokati Arianit Koci ka njoftuar se edhe një qytetar i Kosovës është ndaluar nga autoritetet serbe në pikëkalimin kufitar ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë.

Ai ka thënë se shtetsi i Republikës së Kosovës që është ndaluar në Serbi është 44-vjeçari, Mentor Mustafa nga fshati Jasenovik i Novobërdës.

Në momentin e ndalimit, sipas Kocit, ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

“Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar. Informatën për këtë rast e kam pranuar pas mesnate.”, ka shkruar Koci.

Ai ka thënë se menjëherë pas njoftimit, ka filluar të angazhohet për sqarimin e rrethanave të ndalimit dhe për t’i ofruar ndihmën e nevojshme juridike.

“Do të vazhdoj të ndërmarr të gjitha veprimet që janë në kompetencën dhe mundësitë e mia për të ndihmuar në zgjidhjen sa më të shpejtë të këtij rasti. Asnjë shtetas i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me probleme jashtë vendit. Për aq sa kam mundësi, do të jem pranë qytetarëve tanë dhe do të angazhohem për t’u ofruar ndihmën e nevojshme.”, ka shkruar Koci.

Të ngjashme