Zbulohet parcelë me mbi 1100 bimë kanabisi në Dibër, arrestohen dy persona

Prishtinë | 02 Gus 2026 | 10:31 | Nga Ekonomia Online

Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy persona në Dibër, pasi dyshohen për vepra penale që lidhen me narkotikë.

Gjatë një operacioni antidrogë, i mbështetur nga kontrollet intensive në terren dhe monitorimi me dronë nga ajri, në një parcelë, sipas policies shqiptare, janë gjetur 1121 bimë të dyshuara narkotike kanabis sativa.

“Gjatë ndërhyrjes, efektivët kapën në flagrancë dhe arrestuan A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, si dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan të bashkisë Mat.”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, parcela ndodhej në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, pronë publike në territorin e bashkisë Dibër.

Pas verifikimeve, bimët e dyshuara narkotike janë asgjësuar me djegie në vendngjarje, ndërsa materialet procedurale i janë referuar organeve të drejtësisë.

Të ngjashme