Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës ka reagur përmes një postimi në Facebook rreth pritjeve të gjata të mërgimëtarëve në kufijtë e vendeve përreth.
Sipas saj, kryeministri në detyrë Albin Kurti, “në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë”.
“Ky ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë”, ka shkruar ajo, transmeton Ekonomia Online.
Postimi plotë:
Mërgimtarët tanë po presin me orë të tëra në kufijtë e vendeve përreth, të lodhur pas një udhëtimi të gjatë, për t’u kthyer në vendlindje
Në vend që të merrte menjëherë kontakt me Zagrebin dhe Podgoricën, të koordinonte veprimet me autoritetet e atjeshme dhe të dërgonte Ministrin e Jashtëm për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës, Albin Kurti ka zgjedhur t’u tregojë mërgimtarëve tanë përralla me gjermanë e rusë.
Mërgata nuk ka nevojë për ligjërata ideologjike. Ka nevojë për shtet që vepron.
Ky ose po tallet keq me qytetarët e vet, ose vërtet jeton në një univers paralel, ku Kosova qenka ajo që mbron Gjermaninë.