Varg e Vi pas prezantimit të suksesshëm ndërkombëtar me projektin “4 në 1” në Stamboll, Stokholm, Vjenë dhe Frankfurt të Gjermanisë, në kuadër të Kamenica Summer Fest 2026, me një set pikturash të Din Azizit, fotografi të Migjen Fazliut, art postdigjital e konceptual të Avni Rudakut, si dhe stand up komedinë nga Avni Shkodra, ofroi një atmosferë të veçantë verore në oborrin dhe amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë.
Ngjarjen e përshëndeti Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, duke i uruar mirëseardhje publikut që mbushi plot amfiteatrin.
Publiku në hyrje të oborrit të Shtëpisë së Kulturës, e pa ekspozitën me piktura të Azizit në anën e djathtë, duke i mbështetur për drunjtë e oborrit, fotografitë e varura në drunj të Fazliut në anën e majtë dhe art postdigjital me televizor tradicional në qendër të hyrjes në institucionin lokal kulturor, dhe më pas vazhdoi në amfiteatrin e hapur, për të ndjekur stand-up komedinë e Shkodrës.
Publiku soditi fotografitë e Fazliut që treguan momente të përditshmërisë, traditat dhe kulturën shqiptare, fotografi të ekspozitës “Memento Vivere” – si ekspozitë familjare me fotografi të gjyshit të tij nga linja atërore biologjike, e fotografit të ndjerë, Muhamed Fazliut, si një thënie “Kujto të jetosh”, e cila na thërret për rëndësinë e jetës dhe eksperiencës së të qenit gjallë. Në kohërat e vështira, si ajo e inflacionit dhe pandemisë, është edhe më e rëndësishme të kujtojmë që jeta është një akt dhe proces i papërsëritshëm dhe duhet të përjetohet për çdo çast. Në këtë kontekst, shkrepjet fotografike si ato të Muhamedit, të përzgjedhura me mjeshtri artistike nga fotografi – Migjeni, janë kujtesë individuale, familjare e institucionale. Në anën tjetër, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me piktura të Din Azizit, me konceptin “Post-trauma”, ku portretet janë të shëmtuara, jo nga pamja fizike, por nga vuajtjet psikologjike. Janë trauma lufte, që rizgjohen me çdo asociacion. Janë personazhe të rraskapitura, që nuk duan asgjë, përveç jo më luftë, sepse e kanë përjetuar atë dhe e ripërjetojnë edhe sot. Fytyrat, kokat dhe sytë e tyre, i bëjnë figura që janë të frikësuar, shqetësuar, tmerruar, ku vuajtja gjenerohet sa herë i shikon me kujdes. Është art post-traumatik.
Më pas, në një televizor tradicional pink, u shfaqën fotografitë postdigjitale të Rudakut, me konceptin “Skrollokracia”, ku paraqitet historia mijëravjeçare e njerëzimit me më pak se 2 minuta, në periudha të ndryshme të gjuetisë së kafshëve të egra, këputjes së bimëve të egra, peshkatarisë, lindjes së bujqësisë e blegtorisë, zejtarisë e tregtisë, e deri në revolucionin industrial, elektronik, digjital e AI, duke eksperimentuar me pozicionin e duarve që shenjëzojnë epoka e deri në ditët e sotme, me gishtin e madh a tregues, për skroll, duke u sunduar nga shiriti lëvizës me miliona foto e video që qarkullojnë pa u ndalur kurrë e zoomokracia – bjerrjes së gjatë të kohës, duke zmadhur fotografi e duke dashur njohje të detajit e kontrollit total të hollësive, shpesh të padobishme.
Stand-up komedia e Shkodrës bëri jehonë te publiku, me batutat për përditshmërinë kosovare, rrëfimet për vitet e ’90-ta, ndikimin e mërgatës në familjet kosovare dhe transformimin e tyre, raportet e ndryshuara me mërgatën me kalimin e viteve, rrëfimet komike të fëmijërisë e rinisë, raportet Kosovë-Shqipëri, satirën për raportin e audiencës me tekstet e muzikës, suksesin ndërkombëtar të futbollit e muzikës dhe një sërë mahish për mendësinë e evoluar kosovare.
Projekti “4 në 1” në Kamenicë, është financuar nga Komuna e Kamenicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër thirrjes së përvitshme publike për organizatat joqeveritare kulturore./ KultPlus.com