Kolona të gjata në rrugët drejt bregdetit të Kroacisë, pritje edhe në kufirin me Malin e Zi

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Qarkullimi është rënduar ndjeshëm në rrugët kryesore që çojnë drejt bregdetit të Kroacisë, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje shoferëve të përshtatin shpejtësinë dhe mënyrën e drejtimit me kushtet në rrugë.

Sipas Klubit Kroat të Automobilizmit (HAK), në autostradën A1 Zagreb–Split–Dubrovnik ndodhi një aksident trafiku mes zonës së pushimit Draganiq dhe nyjës Karlovac, në drejtim të Dubrovnikut. Për shkak të aksidentit u krijua kolonë që në kulm arriti deri në 25 kilometra, por më vonë u reduktua në disa kilometra.

Trafik i dendur raportohet edhe në rrugën shtetërore DC1 Zagreb–Karlovac–Split, e njohur si rruga e vjetër e Karlovacit, të cilën shumë drejtues e përdorin si alternativë. Lëvizja nga Zagrebi drejt Karlovacit zhvillohet ngadalë me kolona të gjata, ndërsa ngadalësime ka edhe në zonën e punimeve mes Kninit dhe Graçacit, pranë Otriqit.

Në autostradën A2 Zagreb–Macelj, kolona në pikën e pagesës Trakošçan në drejtim të Zagrebit është rreth një kilometër, ndërsa bllokime ka edhe para nyjës Zagreb Perëndim.

Në autostradën A3 Bregana–Lipovac dhe në unazën e Zagrebit është shtuar ndjeshëm qarkullimi drejt pikës së pagesës Luçko, ku kolona nga drejtimi i Buzinit arrin rreth dy kilometra.

Ndërkohë, në autostradën A4 Goriçan–Zagreb është krijuar kolonë dhe bllokim trafiku nga nyja Popovec drejt nyjës Zagreb Lindje.

Përveç ngarkesës në autostrada, pritje dhe kolona janë raportuar edhe në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi, ku fluksi i madh i turistëve ka shkaktuar vonesa për automjetet që kalojnë kufirin gjatë sezonit veror. Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të planifikojnë udhëtimin me kohë dhe të ndjekin informacionet më të fundit për gjendjen në trafik.

Të ngjashme