Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, do të paraqesë të martën në Këshillin e Jashtëzakonshëm të Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Europian propozimin që modeli shqiptar për riatdhesimin e emigrantëve të paligjshëm të shtrihet në nivel europian. Lajmi bëhet i ditur nga agjencia italiane ANSA.
Propozimi ishte hedhur fillimisht në fund të muajit qershor nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Mbledhja e ministrave të Brendshëm zhvillohet pas emergjencës së emigracionit në Ceuta.
Sipas raportimit, është hartuar një listë paraprake me vende që mund të shërbejnë si qendra pritëse për emigrantët e paligjshëm. Mes tyre janë Gana, Senegali, Tunizia, Libia, Mauritania, Egjipti, Uganda, Uzbekistani, Armenia, Mali i Zi dhe Etiopia. Disa prej këtyre shteteve ndodhen jashtë rrugëve tradicionale të emigracionit.
Ndër vendet që po shqyrtohen me më shumë interes janë Uganda, për të cilën Gjermania, Austria dhe Holanda kanë shprehur tashmë mbështetje, si edhe Mali i Zi. Megjithatë, financimi i këtij projekti mbetet një nga sfidat kryesore.
Në takimin e së martës, Italia pritet të kërkojë gjithashtu zbatimin rigoroz të programit GSP+, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2027. Ky mekanizëm lidh përfitimet tregtare për vendet në zhvillim me bashkëpunimin e tyre për ripranimin e shtetasve që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e Bashkimit Europian.
Objektivi i qeverisë italiane është që qendrat e ngritura në Shqipëri të jenë plotësisht funksionale deri në fund të këtij viti.
Vetë ministri Piantedosi ka deklaruar javët e fundit se synimi është që qendrat në Shqipëri “të ripërdoren duke zgjeruar plotësisht funksionalitetin e tyre deri në fund të vitit, ose edhe më herët, nëse zgjidhen çështjet ligjore që mbeten pezull”.