Nga zyrtarët policor të rajonit Prishtinës, gjatë javës së kaluar në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 128 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 63 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime dhe vepra të tjera penale.
Sipas njoftimit, në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi të njëjtit kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
Gjatë javës së kaluar në Rajonin e Prishtinës, janë sekuestruar 15 armë zjarri, (11 prej tyre janë sekuestruar në ahengje familjare) .
“Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 3759 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor, prej tyre 565 të evidentuara nga vetura inteligjente dhe vetura me radar mobil”, thuhet në njoftim.