Këshilli i Kryetarëve të Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) ka kundërshtuar njëzëri Projektligjin për Pronën Publike, duke vlerësuar se ai cenon autonominë lokale dhe ua heq komunave të drejtën e pronësisë mbi pronën komunale.
Sipas AKK-së, projektligji parasheh që komunat të mos jenë më pronare të pronës komunale, por vetëm shfrytëzuese ose administruese të saj.
“Të gjithë kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave të pranishëm në takim i mbështetën unanimisht kërkesat e AKK-së dhe kundërshtuan çdo përpjekje për t’ua marrë komunave pronësinë dhe për ta përqendruar atë në nivelin qendror”, thuhet në reagim.
Asociacioni thekson se kjo qasje bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe dëmton zhvillimin ekonomik të komunave.
“Kjo qasje cenon autonominë lokale, bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale dhe e godet drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik të komunave. Mesazhi është i prerë: prona komunale u takon komunave dhe nuk mund të tjetërsohet përmes një Projektligji centralizues”, thuhet më tej.
AKK njofton se kërkesat e miratuara unanimisht nga kryetarët dhe përfaqësuesit e komunave do t’i dërgohen Ministrisë së Drejtësisë.
Ndër kërkesat kryesore janë njohja e komunave si pronare të pronës komunale, heqja e përcaktimit se Republika e Kosovës është pronare e vetme e tërë pronës publike, ruajtja e kompetencave të kuvendeve komunale për bartjen, këmbimin dhe dhënien me qira të pronës komunale, si dhe regjistrimi në emër të komunave i pronës së krijuar me mjete komunale.
Po ashtu, komunat kërkojnë që regjistri unik qendror të ketë vetëm rol koordinues, të mos kufizohen kompetencat e tyre për zhvillimin ekonomik lokal dhe planifikimin e tokës, ndërsa mbikëqyrja e nivelit qendror të kufizohet vetëm në kontrollin e ligjshmërisë.
“AKK kërkon rishikimin rrënjësor të Projektligjit dhe përfshirjen e plotë të kërkesave të komunave”, thotë reagimi.