Komandanti i KFOR-it takon Hoxhën, riafirmohet bashkëpunimi për sigurinë

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Komandanti i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, i shoqëruar nga zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Federico Collina, është pritur në selinë e Policisë së Kosovës në Prishtinë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit, palët diskutuan për bashkëpunimin e vazhdueshëm në fushën e sigurisë dhe aktivitetet e koordinuara ndërmjet KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së koordinimit të ngushtë.

Po ashtu, ata riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, theksoi se misioni i NATO-s mbetet i përkushtuar të punojë ngushtë me institucionet lokale për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë transparente dhe të paanshme.

KFOR rikujtoi se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Sipas njoftimit, KFOR vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si reagues të sigurisë.

Të ngjashme