Depopullimi, migrimi dhe zhvillimi socio-ekonomik kanë qenë në fokus të Forumit Ekonomik Rahovec 2026, të organizuar nga Komuna e Rahovecit, ku janë prezantuar rezultatet e Regjistrimit të Popullsisë 2024 dhe ndikimi i tyre në të ardhmen demografike e ekonomike të komunës, raporton Ekonomia Online.
Në forum është diskutuar për sfidat me të cilat përballet Rahoveci, përfshirë tregun e punës, kapitalin njerëzor dhe perspektivat e zhvillimit ekonomik.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se rënia e popullsisë në këtë qytet është një nga sfidat më të mëdha që përballet kjo komunë.
“Rezultatet e regjistrimit të popullsisë 2024 paraqesin një realitet që kërkon vendimmarrje të përgjegjshme nga komuna jonë dhe veprim po ashtu të përbashkët i të gjithë akterëve që marrin pjesë në këtë proces, në mënyrë që edhe sfidat që kemi paralelisht të përballohen më lehtë, sidomos pas këtij ndryshimi të madh që ka ndodhur, pra të trendit demografik, dhe natyrisht që krejt këto kanë ndikim në jetën shoqërore dhe ekonomike të qytetarëve tanë. Rënia e popullsisë nga rreth 56,208 sa kishim në 41,800 banorë rezidentë është një nga sfidat më të mëdha që ndikon padyshim në zhvillimin e komunës tonë. Ndikimi i emigrimit dhe depopullimit në tregun e punës. Përgjigjja ndaj këtyre sfidave është zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të reja të punës, mbështetja e sipërmarrësve, sipërmarrjes në përgjithësi dhe krijimi i perspektivës për të rinjtë”, tha ai.
Ndërsa, theksoi edhe potencialet që ky qytet ka, lidhur me zhvillimin ekonomik.
“Potencialet e Rahovecit në bujqësi, në vreshtari, në verëtari, industri përpunuese, agroturizëm, turizëm dhe ndërmarrësi si sektorë që mund të zgjerojnë zhvillim të qëndrueshëm. Pra, i kemi parasysh potencialet e shumta që ka komuna jonë dhe jo vetëm në këto fusha, por edhe në fushën e prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, që tash është një sferë pothuajse shumë e rëndësishme e veprimtarisë sonë e që ka të bëjë me krijimin e mundësive për shfrytëzimin e të këtyre potencialeve edhe për vende të reja të punës, por edhe për rritjen e potencialeve që ndikojnë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të komunës tonë”, tha ai.
Ekspert i Sistemit të Informacionit Gjeografik (GIS) dhe Planifikimit Hapësinor nga ASK, Idriz Shala, tregoi se është shënuar rritje te popullsia urbane, e poashtu te numri i banesave.
“Kemi rritje tek popullsia urbane, nga 28.3%, sa ishte në vitin 2011, tani është 32.6%, apo plus 4.3%. Tek banesat kemi trende pozitive nga 11,247 banesa sa ishin në vitin 2011, tani janë 13,547 banesa, pra 20.5% rritje. Tek madhësia e ekonomisë familjare, numri i banorëve për ekonomi familjare në vitin 2011 ishte 6.8%, tani ka rënë në 4.6%, ndërsa për strukturën moshore, personat 65 e më shumë vite, në vitin 2011 ishte 5.9%, ndërsa në vitin 2024, është rritur me 10.9%”, tha ai.
Shala prezantoi edhe të dhënat e papunësisë tek të rinjtë, ku papunësia ka rënë dhe është më e lartë te femrat sesa te meshkujt.
“Papunësia e të rinjve ka rënë ndjeshëm nga 60.1% në vitin 2011 sa ishte në komunën tonë, tani është 26.5% në vitin 2024. Kjo domethënë tregon një përmirësim të madh të tregut të punës në komunën e Rahovecit. Të dhënat tregojnë gjithashtu se papunësia është më e lartë tek femrat me 31.4%, në raport me meshkujt është 23.6% për komunën e Rahovecit. Të dhënat e tregut të punës për moshën 25 deri 64 vjeç, që tregojnë se shkalla e fuqisë puntore ka rënë nga 44.6% sa ishte në vitin 2011, tani është 37.3% në vitin 2024, ndërkohë papunësia ka rënë ndjeshëm nga 36.2% në 12.6%. Edhe papunësia e femrave 25 deri 64 vjeç është ulur nga 61.5% në 26%. Një zhvillim tjetër pozitiv është rritja e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës nga 14.4% sa ishte në vitin 2011, tani është 17.7% në vitin 2024”, prezantoi ai.
Ndërsa, Ilir Berisha, drejtor i Statistikave Ekonomike nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), bëri prezantimin e numrit të ekonomive familjare dhe ndërtimeve, në të cilat Rahoveci ka shënuar rritje.
“Numri i ekonomive familjare është rritur për 23.4%, kjo nuk do të thotë që është rritur numri i popullsisë, por ka rënë numri mesatar i ekonomisë familjare nga 5.9% në vitin 2011 në 4.3% në nivel vendi në 2024. Sa i përket të dhënave të njëjta për Rahovecin, pat një rënie prej 25.6% të popullsisë. Popullsia urbane prej 14.16%, ndërsa popullsia rurale ka pasur një rënie prej 30.2%. Është rritur numri, edhe në Rahovec është rritur numri i ekonomive familjare, pasi që edhe këtu ka pasur ndryshime në madhësinë e ekonomisë familjare nga 6.8% sa ishte në vitin 2011 ra në 4.6% në vitin 2024. Për numrin e banesave krahasuar me nivel qendror dhe në nivel të komunës, Kosova ka 61.4% të banesave të shfrytëzuara nga një apo më shumë banorë, ndërsa në Rahovec kjo përqindje është më e lartë, 65.5%. Sa i përket ndërtimeve që i kemi ndarë të ndërtimeve të ndërtesave ato që janë ndërtuar para deri në vitin 1999 e më herët dhe 2000-2023. Në Kosovë 36.1% janë ndërtuar në periudhën 2000-2023. Ndërsa Rahoveci është në mesin e 22 komunave që kanë përqindjen më të lartë të vendit, me 36.5% të ndërtesave janë ndërtime të reja, që do të thotë janë ndërtuar pas vitit 2000”, tha ai.
Poashtu, për kushtet e banimit dhe infrastrukturën, e sistemin e furnizimit me ujë nga shërbimet publike, Berisha tregoi se Rahoveci qëndron në nivel më të mirë se mesatarja.
“Në kushtet e banimit, përmirësimi i infrastrukturës bazë ose sistemi i furnizimit me ujë nga shërbimet publike, Rahoveci, ka një nivel më të mirë sesa mesatarja e Kosovës. Derisa në Kosovë me sistemin e furnizimit me ujë nga një shërbim publik janë 76.8% e popullsisë rezidente, ndërsa në Rahovec ky nivel ka mbërrijtur në 95% të popullsisë domethënë që përdorin ujin e pijes nga një furnizim publik. Sa i përket qasjes në rrjetin publik të kanalizimit sipas komunave, edhe këtu Rahoveci qëndron më mirë sesa mesatarja në Kosovë, përderisa në Kosovë 86.1% e popullsisë kanë qasje në rrjetin publik të kanalizimit, në Rahovec kjo përqindje është 93.2%. Zakonisht objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, që Kosova meton t’i përmbushë, ata parashikojnë që në 2030-ën për ujin e pijes dhe për këto sisteme popullsia të ketë qasje 100% në të gjithë botën”, tha ai.
