Edhe Federata e Anglisë e tërheq mbështetjen ndaj Infantinos

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 19:28 | Nga Ekonomia Online

Federata Angleze e Futbollit (FA) ka vendosur t’i dërgojë një letër zyrtare Gianni Infantinos për ta njoftuar se ka tërhequr mbështetjen për rizgjedhjen e tij si president i FIFA-s.

Sipas gazetës britanike “The Athletic”, ky vendim vjen pasi FA publikoi të shtunën një deklaratë në mbështetje të qëndrimit të UEFA-s, e cila pranoi se kishte humbur besimin te udhëheqja e Infantinos.

Shkak u bë përpjekja e presidentit të FIFA-s për të shitur 21 për qind të operacioneve komerciale dhe eventeve të FIFA-s te një fond investimesh në pronësi të Joshua Kushner për 4.2 miliardë dollarë (3.1 miliardë paund).

Në deklaratën e Federatës Angleze thuhej: “Ka ardhur koha për një rishikim të plotë dhe serioz të udhëheqjes dhe qeverisjes së FIFA-s, për të siguruar që futbolli botëror të drejtohet me transparencë dhe në interes të të gjitha 211 federatave anëtare, duke pasur në qendër të objektivave të tij zhvillimin afatgjatë të lojës”.

Infantino u tërhoq të premten nga projekti “FIFA Forward Enterprise”, duke bërë një kthesë të fortë pas kundërshtimeve të gjera nga bota e futbollit.

Rezistenca erdhi edhe nga brenda vetë FIFA-s. Drejtori operativ i organizatës, Kevin Lamour, i tha agjencisë “Associated Press”: “Është një projekt i një personi”.

Megjithatë, anulimi i projektit nuk e ka zbutur presionin ndaj presidentit të FIFA-s.

Të hënën, Federata e Futbollit e Uellsit u bë një nga të parat ndër 211 federatat anëtare të FIFA-s që tërhoqi zyrtarisht mbështetjen për rizgjedhjen e Infantinos vitin e ardhshëm.

Edhe Federata Zvicerane e Futbollit, që përfaqëson vendlindjen e Infantinos, reagoi duke thënë:

“Ne kemi dërguar një letër mbështetjeje përpara ngjarjeve që u diskutuan gjerësisht gjatë Kupës së Botës dhe që edhe ne i kemi konsideruar shqetësuese. Si rezultat, po zhvillohen diskutime të mëtejshme si brenda federatës sonë, ashtu edhe me federata të tjera”.

Ajo shtoi: “Natyrisht, zhvillimet e javës së kaluar po merren parasysh gjatë këtyre diskutimeve. Përveç kësaj, synojmë të zhvillojmë edhe një takim tjetër personal me presidentin e FIFA-s dhe do të vazhdojmë të vlerësojmë situatën deri në zgjedhjet e planifikuara më 18 mars 2027”.

Sipas raportimeve, pritet që edhe federata të tjera evropiane të ndjekin shembullin e Anglisë dhe Uellsit në koordinim me UEFA-n.

Më herët, UEFA kishte paralajmëruar se federatat e saj anëtare do të bojkotonin Kupën e Botës nëse projekti “FIFA Forward Enterprise” nuk anulohej.

Konfederata evropiane kishte kërcënuar gjithashtu FIFA-n me padi lidhur me këtë projekt.

Në emër të UEFA-s, një firmë ligjore u kishte dërguar më 31 korrik letra të veçanta FIFA-s dhe Joshua Kushnerit, vëllait të Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, duke kërkuar që të mos shkatërrohej asnjë dokument që lidhej me këtë projekt.

“The Athletic” raportoi javën e kaluar se shumica dërrmuese e anëtarëve të CONCACAF-it po humbin ose tashmë e kanë humbur besimin te Gianni Infantino.

Vetë Infantino kishte njoftuar gjatë Asamblesë së Përgjithshme të FIFA-s në prill se do të kandidonte edhe për një mandat të fundit si president.

Para shpërthimit të krizës së “FIFA Forward Enterprise”, pozita e tij dukej e pakontestueshme. Ai madje kishte shkruar në Instagram se kishte marrë mbështetjen e më shumë se 200 prej 211 federatave anëtare për kandidaturën e tij në vitin 2027.

Parashikimet tregonin se 56-vjeçari do të kandidonte pa rival, ashtu si në zgjedhjet e viteve 2019 dhe 2023.

Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm. Presidenti i CONCACAF-it dhe njëkohësisht nënkryetar aktual i FIFA-s, Victor Montagliani, po shqyrton seriozisht mundësinë për të kandiduar kundër Infantinos.

Afati për dorëzimin e kandidaturave për zgjedhjet e marsit 2027 përfundon më 18 nëntor.

Të ngjashme