Kërkimet nga toka dhe ajri kanë çuar në zbulimin e një tjetër varreze masive në komunën e Zubin Potokut, këtë herë në fshatin Jabukë.
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se në këtë lokacion janë gjetur mbetje kockore me origjinë njerëzore, ndërsa për shkak të afërsisë me varrezën masive në Kalludër të Vogël, dyshohet se mund të bëhet fjalë për të njëjtin grup viktimash të ekzekutuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Sipas Sveçlës, lokacionet ndodhen rreth 900 metra larg njëra-tjetrës dhe gjenden në të njëjtën luginë, megjithatë rezultatet përfundimtare priten pas analizave të ekspertëve mjeko-ligjorë.
Për rastet e dyshuara për krime lufte në Zubin Potok, deri tani janë arrestuar tre persona. I fundit është Jugosllav Radeviq, ndaj të cilit Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.