Dyshja nga Reali dhe dy lojtarë nga Premierliga: Kush janë shënjestrat e Unitedit, para mbylljes së merkatos?

Prishtinë | 03 Gus 2026 | 21:51 | Nga Ekonomia Online

Manchester Unitedi po hyn në një periudhë vendimtare të afatit kalimtar, teksa trajneri Michael Carrick kërkon përforcime të reja përpara nisjes së sezonit të ri në Premierligë dhe rikthimit të klubit në Ligën e Kampionëve. Afati kalimtar mbyllet më 2 shtator.

Sipas “talkSPORT”, “Djajtë e Kuq” vazhdojnë të insistojnë për mesfushorin e Brightonit, Carlos Baleba, edhe pse klubi anglez kërkon mbi 75 milionë funte për kartonin e tij.

Një tjetër emër në listën e Unitedit është mesfushori i Bournemouthit, Tyler Adams.

Ndërkohë, transferimi i Alex Scott ka dështuar, pasi Bournemouth ka kërkuar mes 80 dhe 100 milionë funte, një shifër që Manchester United nuk është i gatshëm ta paguajë.

Objektivi kryesor për repartin e mesfushës mbetet Aurélien Tchouaméni, pavarësisht se francezi është pranë rinovimit të kontratës me Real Madridin.

Një alternativë tjetër është Eduardo Camavinga, i cili u është ofruar disa klubeve të Premierligës nga ndërmjetësuesit e tij.

Megjithatë, dëmtimet e shpeshta dhe çmimi i lartë mund ta bëjnë të vështirë realizimin e këtij transferimi.

Në listën e objektivave vazhdon të jetë edhe mbrojtësi i Newcastle United, Lewis Hall.

Raportet bëjnë të ditur se futbollisti është i hapur për një transferim në “Old Trafford”, ndërsa një ofertë prej rreth 60 milionë funtesh mund ta vërë në provë vendosmërinë e Newcastle për ta mbajtur.

Manchester Unitedi po monitoron gjithashtu edhe talentin e Arsenalit, Myles Lewis-Skelly.

Aftësia e tij për të luajtur si në mesfushë ashtu edhe në krahun e majtë të mbrojtjes e bën një profil shumë tërheqës për Carrickun, megjithëse Arsenali nuk dëshiron të ndahet me lojtarin.

Në repartin ofensiv, emri që spikat është ai i sulmuesit senegalez të Evertonit, Iliman Ndiaye.

Shkathtësia e tij për të luajtur në disa pozita sulmuese ka tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Unitedit, por Everton kërkon rreth 75 milionë funte për ta lënë të lirë. Situatën mund ta komplikojë edhe interesimi i Al Hilalit nga Arabia Saudite.

Një tjetër futbollist në radarët e Manchester United është edhe anësori i Crystal Palace, Ismaïla Sarr.

Senegalezi zhvilloi një sezon të shkëlqyer, duke shënuar 21 gola në 45 ndeshje, por Crystal Palace nuk ka ndërmend ta shesë një nga lojtarët e tij më të rëndësishëm.

Të ngjashme