Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pasi Agjencia e Ushqimit dhe Veterainarisë dhe Ministria e Bujqësisë kanë publikuar rezultatet për sektorin e qumështit.
Muharremi përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se nga analizat shihet se ka një numër të konsiderueshëm të përbërësve të padeklaruar në produkte.
Sipas tij tani duhet të punohet bashkë me prodhuesi individualë dhe shoqatat, në mënyrë që të rregullohen këto çështje.
“Është shumë me rëndësi që kjo industri të ruhet, të mos dëmtohet, por të zhvillohet edhe më shumë, në mënyrë që konsumimi dhe shitja e produkteve vendore të rriten e të përfitojë jo vetëm ekonomia jonë, por edhe gradualisht të ulim importet dhe deficitin e lartë në këtë sektor”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Punë e mirë prej AUV-it dhe Ministrisë së Bujqësisë në kërkimet dhe gjetjet e tyre rreth sigurisë së ushqimit në industrinë e qumështit. Ky intervenim, është zhvillur për krejt industrinë. Nga analizat shihet se ka një numër të konsiderueshëm të përbërësve të padeklaruar në produkte.
Tash është me rëndësi me punu bashkë me prodhuesit individualë dhe me shoqatat, në mënyrë që me i rregullu këto çështje, që përmbajtja të deklarohet tërësisht, por edhe të mos tejkalohen nivelet maksimale të lejuara, në mënyrë që të ruhet shëndeti publik.
Si ushtrim, analiza dhe publikimi dolën të jenë të dobishme për shoqërinë dhe do të duhej të ishin bërë shumë më herët. Mesiguri është në interes publik që analiza të tilla të bëhen rregullisht, në baza periodike, dhe të publikohen vazhdimisht.
Ky mjet, si metodë analize dhe vlerësimi, na ndihmon ta rrisim transparencën, por edhe ta përmirësojmë industrinë.
Është shumë me rëndësi që kjo industri të ruhet, të mos dëmtohet, por të zhvillohet edhe më shumë, në mënyrë që konsumimi dhe shitja e produkteve vendore të rriten e të përfitojë jo vetëm ekonomia jonë, por edhe gradualisht të ulim importet dhe deficitin e lartë në këtë sektor.