Më shumë se 150 emigrantë janë shpëtuar pasi varka që po përdornin për të kaluar Kanalin Anglez është përfshirë nga zjarri të martën në mëngjes.
Sipas autoriteteve franceze, varka po përpiqej të kalonte në Mbretërinë e Bashkuar kur motori i saj u përfshi nga flakët.
Sipas prefekturës detare franceze të Kanalit dhe Detit të Veriut, 157 persona janë shpëtuar dhe po dërgohen në portin e Boulogne-sur-Mer, derisa nuk ka raportime për ndonjë person të lënduar.
Kjo vjen vetëm një ditë pasi kryeministri, Andy Burnham u zotua se qeveria e tij do të jetë “e pamëshirshme” në frenimin e numrit të njerëzve që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me varka.
Autoritetet franceze thanë se varka u largua nga Franca të hënën në mbrëmje, raporton BBC.
“Të vendosur për të arritur në Mbretërinë e Bashkuar, migrantët që kalonin Kanalin me anije të vogla refuzuan ndihmën e ofruar nga shërbimi francez i emergjencës, duke e pranuar atë vetëm në situata emergjence ekstreme”, tha ajo në një deklaratë.
Për shkak të “brishtësisë strukturore” të anijeve të përdorura për të kaluar Kanalin, tha se vendosën të mos ndërhyjnë më tej në atë fazë.
Por, këtë mëngjes motori mori flakë dhe “integriteti i anijes u përkeqësua shumë shpejt”.
Dy anije franceze shpëtuan 103 migrantë dhe anijet britanike shpëtuan 54.