Pas 4 orësh kërkimesh, shpëtohen turistët gjermanë që humbën në Malin e Çikës

Prishtinë | 04 Gus 2026 | 21:10 | Nga Ekonomia Online

Ndërhyrja e helikopterit nga ajri bëri të mundur shpëtimin e tre turistëve gjermanë, të cilët kishin mbetur të bllokuar mes shkëmbinjve në zonën e Malit të Çikës, pjesë e Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Operacioni i kërkim-shpëtimit zgjati rreth katër orë dhe u zhvillua në një terren tepër të vështirë. Pas lokalizimit të tyre, tre të rinjtë u nxorën me helikopter dhe u transportuan drejt Qendrës Shëndetësore të Palasës, ku morën ndihmën e parë mjekësore, raporton TopChannel.

Turistët kishin kërkuar ndihmë përmes sinjalit SOS, pasi kishin humbur orientimin dhe nuk mund të dilnin nga zona shkëmbore ku kishin mbetur të izoluar. Operacioni u finalizua me sukses, pa pasoja për jetën e tyre.

Ky është rasti i pestë në vetëm dy muaj ku turistë të huaj mbesin të bllokuar, humbasin rrugën, apo lëndohen gjatë eksplorimit të kësaj zone.

Të ngjashme