Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia që drejton nuk do të japë mbështetje politike pa u arritur fillimisht një marrëveshje me substancë, duke theksuar se vetëm një marrëveshje e mirë do t’i siguronte të gjitha votat e LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, Abdixhiku tha se bisedimet janë ende në proces dhe se për këtë arsye nuk mund të japë më shumë detaje.
“E kam thënë shpeshherë, për marrëveshje të mirë LDK-ja i ka të gjitha votat, për marrëveshje jo të mirë nuk e ka as votën time si kryetar i saj. Pra, nuk mund të diskutoj për mbështetje politike pa pasur substancë. Fillimisht do të ndërtohet marrëveshja e më pas të prezantohet ajo marrëveshje dhe më pas do të flasim për aritmetikë, për numra, për mundësitë e realizimit e kështu me radhë. Në këtë përpjekje po përpiqemi për balancat sociale. Kërkoj falje që s’mund të jap më shumë detaje sepse jemi në proces diskutues dhe ju lutem që të kemi mirëkuptim për këtë çështje sepse po vazhdojmë tutje diskutimet”, tha Abdixhiku.
I pyetur nëse është arritur ndonjë pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje, ai u përgjigj se çdo marrëveshje do të bëhet publike vetëm pasi të finalizohet.
“Posa të kemi pajtueshmëri të plotë për të gjitha çështjet, do ta shpallim këtë marrëveshje. Por ende jemi në proces e tutje, prandaj ju lutem për mirëkuptim. Mund të kemi takime në ditët në vijim, mund të presim konstituimin e Kuvendit, më pas i kemi 25 ditë apo sa duhet, 10 ditë dhe dy javë për mandatin e mandatarit para se të bëhet qeveria e re në vend, por sa më herët më mirë sepse sa më gjithëpërfshirëse, aq më mirë për të gjithë”, theksoi ai.
Duke u pyetur për çështjen e presidentit konsensual, Abdixhiku tha se një president i tillë është ai që siguron mbështetjen e 80 deputetëve, duke shtuar se LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucione.
“Tani, president konsensual gjykoj është secili president që i merr 80 vota. LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar në institucionet e Kosovës për t’i pasur votat e veta”, u shpreh Abdixhiku.
Ndërkaq, i pyetur për deklaratën e Kurtit se marrëveshja politike nuk duhet ta përmbysë rezultatin zgjedhor, kreu i LDK-së tha se për këtë çështje ka pasur pajtueshmëri mes palëve.
“Jo, jo. Kemi pasur dakordësi të plotë, njëra prej çështjeve bazike që marrëveshjet në tavolinë nuk e përmbysin rezultatin zgjedhor. Prandaj edhe ju thashë në fillim që ne s’kemi asnjë ide të kontestojmë rezultatin zgjedhor, po përpiqemi që brenda interesave të Republikës dhe rrethanave që jemi tani, t’i japim më të mirën për Republikën e Kosovës”, shtoi Abdixhiku.

