Dokumente të Byrosë Federale Investigative (FBI) kanë zbuluar se presidenti amerikan Donald Trump ishte hetuar si “agjent rus”. Dosjet e hapura së fundmi të lëshuara nga Shtëpia e Bardhë zbulojnë se FBI-ja hapi një hetim sekret, me emrin e koduar “Oxferd Comma”, pasi Trumpi e kishte shkarkuar atëkohë drejtorin e FBI-së James Comey në maj 2017, ka raportuar media britanike “Express”.
Hetimi mbi Trumpin ishte pjesë e një hetimi më të gjerë të FBI-së mbi pretendimet mes fushatës presidenciale të vitit 2016 të Trumpit me Rusinë. Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, hetuesit hetuan nëse presidenti po vepronte si një aset për Rusinë, pavarësisht se teoria nuk mbështetej nga prova. Zyrtari ka shtuar se rasti u hap pas vendimit të Trumpit për ta shkarkuar Comeyn, përpara se të përfshihej në hetimin më të gjerë të prokurorit të posaçëm Robert Mueller për Rusinë. Zyrtari ka thënë tutje se në fund u arrit në përfundimin se hetimi nuk kishte asnjë bazë.
“Pothuajse gjithçka që FBI-ja kishte në zotërim në atë kohë e kishte hedhur poshtë ose e kishte përjashtuar mundësinë që Trumpi apo fushata e tij po bashkëpunonte me Rusinë”, ka thënë zyrtari.
Trumpi e pati shkarkuar Comeyn në maj 2017, disa muaj pasi mori detyrën në mandatin e parë si president.
Shtëpia e Bardhë fillimisht pati thënë se Comey ishte shkarkuar për shkak të mënyrës si e kishte menaxhuar hetimin mbi përdorimin e një serveri privat emaili nga Hillary Clintoni derisa shërbente si Sekretare e Shtetit.
Megjithatë, raporti i Muellerit më vonë thoshte se Trumpi u frustrua sepse Comey refuzoi që publikisht të deklaronte se presidenti nuk ishte personalisht nën hetim mbi lidhjet e mundshme me Rusinë.
Shkarkimi i Comeyt u bë shkak për hetim më të gjerë mbi Trumpin.
Pas shkarkimit, atëherë Zëvendësprokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein e emëroi Muellerin si prokuror të posaçëm për të hetuar ndikimin rus në fushatën presidenciale të SHBA-së më 2016 dhe çdo lidhje të mundshme me fushatën e Trumpit.
Mueller përfundimisht nuk gjeti asnjë provë se pjesëtarë të fushatës së Trumpit u koordinuan me Rusinë.
Megjithatë, raporti paraqiti disa kontakte mes figurave të fushatës dhe individë të lidhur me qeverinë ruse.
Trumpi vazhdimisht e ka akuzuar FBI-në dhe agjenci të tjera amerikane të inteligjencës për hetime joetike të fushatës së tij presidenciale.
Trumpi vazhdimisht e kishte kritikuar edhe Comeyn, duke e përshkruar atë si “polic të korruptuar”.
Comey nga ana tjetër e ka quajtur Trumpin “moralisht të papërshtatshëm” për të shërbyer si president.