Gjini: Kosova po hyn në një nga momentet më kritike, kjo situatë është grusht shteti i brendshëm

Prishtinë | 06 Gus 2026 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka mbajtur konferencë për media pasi u ndërpre seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën politike dhe institucionale si një nga më të rëndat në historinë e vendit, raporton Ekonomia Online.

Gjini tha se zhvillimet e fundit përbëjnë një uzurpim të institucioneve shtetërore dhe akuzoi pushtetin për krijimin e një krize të thellë kushtetuese.

“Ne e kemi parë të rëndësishme që sot m’ju drejtu qytetarëve të Kosovës përmes jush, për shkak se situata politike, kushtetuese dhe e gjithëmbarshme në Kosovë ka hyrë në një moment i cili mundet me qenë ndër më kritikët në historinë e Kosovës. Ajo që po shohim sot është një uzurpim total i pushtetit në Kosovë. Sot Kosova nuk ka president, nuk ka as ushtrues detyre të presidentit. Kosova nuk ka kryetar kuvendi, nuk ka as nënkryetar kuvendi. Kosova nuk ka kryeministër legal, as kryeministër në detyrë legal. Nuk ka as ministra legal, e ka vetëm një person i cili e ka uzurpu pushtetin në Kosovë”, tha ai.

Ai tha se situata nuk ka precedent dhe se vendi ka arritur në këtë pikë pas një sërë zhvillimesh politike që, sipas tij, kanë shkelur vazhdimisht Kushtetutën.

“Asnjëherë, asnjërit prej nesh nuk na ka shku mendja që Kosova mundet me ardhë në këtë pikë. Po si kemi ardhë? Duhet me ju shpjegu në kronologji. Ju kujtohet viti 2025, 9 shkurti kur janë shpallë zgjedhjet e rregullta atëherë, ju kujtohet rezultati zgjedhor dhe ju kujtohet maskarada disa muajsh me zvarritjen e procesit të krijimit të institucioneve, me 50 votime jo legale për kryetar të kuvendit, më shumë se 50. Ju kujtohet shkelja e vazhdueshme e kushtetutës me vetëdije të plotë prej të njëjtit”, tha ai.

Gjini rikujtoi edhe zhvillimet pas zgjedhjeve të dhjetorit, duke thënë se, pavarësisht rezultatit, nuk u arrit krijimi i institucioneve dhe vendi u detyrua të shkojë sërish në zgjedhje.

“Kemi shku në zgjedhjet e dhjetorit, të cilat zgjedhje ia ka dhënë Vjosa Osmanit si presidente duke shpresuar që e bën presidenten edhe njëherë, atëherë kur i ka desh. Edhe pse i ka marrë përndryshe 50% të votave, prapë nuk ka mbrri me i kriju institucionet. Ju kujtohet juve të gjithëve që njëherë thoshte 86 vota, se nuk i mjaftonin 81, njëherë thoshte këtë e bën, atë s’e bën, edhe prapë kemi shku në zgjedhje. Cilat? Zgjedhjet e treta për më pak se një vit e gjysmë”, u shpreh Gjini.

Sipas tij, ndërprerja e sotme e procesit nuk ka asnjë arsyetim shtetëror apo patriotik dhe përbën një grusht shteti të brendshëm.

“Ndërsa sot, pa asnjë arsye logjike, pa asnjë arsye shtetformuese, pa asnjë arsye patriotike, prapë hyjmë në krizë institucionale. Unë duhet me thënë që nuk ka emër tjetër kjo situatë përpos se grusht shteti i brendshëm, grusht shteti i cili nuk realizohet prej falangave ushtarake, po prej njerëzve të cilët në mënyrën më brutale e shfrytëzojnë legjitimitetin e brishtë demokratik për me i uzurpu institucionet e shtetit.” Kryetari i Aleancës tha se e kishte paralajmëruar një zhvillim të tillë edhe dy ditë më parë, duke pretenduar se synimi është krijimi i konfuzionit dhe bartja e përgjegjësisë te partitë opozitare. “Duhet me thënë që para dy ditëve i kam paralajmëruar qytetarët e Kosovës se kjo është ajo që mundet me ndodh, për shkak se ne i shohim veprimet, i kemi dëgju, edhe e kemi kuptuar që krejt çka është tu u bë sot, ky regjim, është me provu me kriju mjegull edhe me provu me hudh fajin aty ku nuk është, me hudh fajin te partitë politike për moskrijimin e institucioneve edhe me zvarritë prapë procesin.” Gjini tha se nuk e kupton motivin e veprimeve të kryeministrit në detyrë, por shtoi se me kalimin e kohës do të bëhet e qartë arsyeja e tyre. “Ajo që nuk mundem me saktësi me e ditë është cili është qëllimi i këtij personi. Pse ia bën kështu vendit të vet? Pse ia bën kështu popullit të vet, atij populli që po e voton? Këtë nuk mundem me e pasë të qartë, mundemi me spekulu, po një ditë secili prej nesh kemi me e pasë të qartë pse dikush ia bën vendit të vet këtë që po e bën”, shtoi Gjini.

Të ngjashme