Të paktën tre persona, përfshirë një fëmijë, janë vrarë nga sulmet ruse gjatë natës në afërsi të kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Raketat goditën pjesën lindore të qytetit, ndërsa mbetjet e tyre dëmtuan ndërtesa banimi dhe automjete, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Tre persona të tjerë u plagosën, ndërsa ekipet emergjente u angazhuan për shuarjen e zjarreve në disa objekte dhe një rezervuar karburanti.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës publikoi pamje nga vendi i sulmeve, duke bërë të ditur se numri i viktimave ende po përcaktohet.
Sulmet vijnë disa ditë pas një vale tjetër bombardimesh në Ukrainë, ku u vranë 21 persona.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Beograd, ku pritet të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ata do të diskutojnë marrëdhëniet ekonomike, raportet me BE-në dhe çështjet e sigurisë.
Zelensky ka paralajmëruar se mungesa e sistemeve dhe raketave interceptuese po e dobëson mbrojtjen ajrore të Ukrainës, ndërsa bisedimet për paqe kanë ngecur dhe sulmet mes Rusisë e Ukrainës janë përshkallëzuar.