Ambasada britanike: Kosova ka qenë pa Kuvend funksional për shumë ditë, politikanët duhet ta zgjidhin situatën

Prishtinë | 08 Gus 2026 | 14:53 | Nga Ekonomia Online

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka reaguar lidhur me situatën politike në Kosovë dhe pamundësinë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit, duke u bërë thirrje politikanëve që të bashkëpunojnë për tejkalimin e krizës përmes dialogut dhe negociatave paqësore.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada britanike ka theksuar rëndësinë e Kuvendit për demokracinë dhe funksionimin e shtetit.

“Parlamenti është zemra e demokracisë. Ai e mban qeverinë përgjegjëse dhe mundëson miratimin e legjislacionit që mund ta çojë shoqërinë dhe ekonominë përpara”, thuhet në reagim.

Ambasada ka vlerësuar se Kosova ka qëndruar për një kohë të gjatë pa një Kuvend plotësisht funksional.

“​​Kosova ka qenë pa një parlament plotësisht funksional për shumë ditë gjatë dy viteve të fundit. Kjo është përgjegjësi e politikanëve të Kosovës dhe jo e sistemit”, thuhet më tej.

Ambasada britanike u ka bërë thirrje subjekteve politike që urgjentisht të bashkëpunojnë për gjetjen e një zgjidhjeje.

“Tani ata urgjentisht duhet të punojnë së bashku për ta zgjidhur këtë situatë përmes dialogut dhe negociatave paqësore, për të mirën e njerëzve të mrekullueshëm të Kosovës dhe partneriteteve të saj ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë.

Të ngjashme