Irani vendos kushte për rihapjen e Hormuzit

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Irani ka bërë të ditur se është pranë arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Omanin, e cila do të përcaktonte korridoret e reja të lundrimit përmes ngushticës strategjike të Hormuzit.

Megjithatë, Teherani ka përsëritur se ngushtica nuk do të rihapet për qarkullim të sigurt derisa Shtetet e Bashkuara të përmbushin disa kërkesa, përfshirë kompensimin, heqjen e sanksioneve dhe përfundimin e kërcënimeve ushtarake.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, deklaroi të dielën se marrëveshja me Omanin ndodhet në “fazat përfundimtare”.

Sipas tij, dokumenti do të përcaktojë rrugët e reja të transportit detar që do të përdoren pasi të plotësohen kushtet e vendosura nga Irani dhe të rihapet ngushtica, shkruan Reuters.

Një zyrtar amerikan kishte deklaruar të premten se Irani dhe Omani ishin pranë një marrëveshjeje që mund të hapte rrugën për rikthimin e kalimit të sigurt përmes Hormuzit, një prej korridoreve kryesore në botë për transportin e naftës dhe gazit.

Ndërkohë, Irani dhe SHBA-ja nuk janë të angazhuara në bisedime të drejtpërdrejta. Araqchi tha se Teherani nuk do të nisë negociata të drejtpërdrejta për sa kohë Uashingtoni, sipas tij, nuk respekton një marrëveshje të përkohshme të nënshkruar në qershor. Megjithatë, mes dy palëve po shkëmbehen mesazhe përmes ndërmjetësve.

Të ngjashme