Haradinaj kujton dëshmorët e rënë: Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar luftëtarët e rënë në altarin e lirisë gjatë gushtit të vitit 1998.

Haradinaj, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka thënë se në fillim të gushtit të atij viti luftimet kundër forcave serbe po intensifikoheshin çdo ditë, jo vetëm në Dukagjin, por në mbarë Kosovën.

Ai ka përmendur dëshmorët Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka, Përmet Vula dhe Jusuf Kelmendi, për të cilët ka thënë se kishte nderin t’i kishte krah në shumë beteja.

“Më 9 dhe 10 gusht, ranë në altarin e lirisë bijtë e kombit: Agim Bajrami, Xheladin Kurtaj e Besnik Begunca”, ka shkruar Haradinaj.

Sipas tij, këta ishin “luftëtarë të pashoq, trima e atdhetarë”, të cilët para jetës së tyre vendosën lirinë e Kosovës.

“Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre! Faleminderit për shërbimin ndaj Atdheut!”, ka përfunduar Haradinaj.

Të ngjashme