Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Krujës, pasi u kap duke kultivuar bimë të dyshuara narkotike në një parcelë në zonën e “Skahides”, në lagjen Barun.
Policia njofton se operacioni i koduar “Baruni” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike.
Gjatë kontrollit në parcelë, efektivët kanë konstatuar bimë të dyshuara cannabis sativa, ndërsa në vendngjarje është kapur edhe pronari i parcelës, shtetasi me inicialet E. P., 62 vjeç, banues në Krujë.
Bimët e dyshuara narkotike u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Policia ka bërë të ditur se kontrollet në territorin e Krujës do të vijojnë për evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.