Riaktivizohet një tjetër vatër zjarri në Krujë

Prishtinë | 10 Gus 2026 | 16:32 | Nga Ekonomia Online

Riaktivizohet një tjetër vatër zjarri në lagjen “Abaze” të Krujës, pasi gjatë fundjavës ky qytet për orë të tëra u rrethua nga zjarri, ku flakët u afruan në oborret e shtëpive, duke rrezikuar jetën e banorëve të cilët u evakuuan nga autoritetet.

Situata më e vështirë ishte në lagjet Barabit dhe Lluban. Zjarri, i favorizuar nga era, avancoi me shpejtësi drejt zonave të banuara duke rrezikuar shtëpitë, që fatmirësisht shpëtuan pa dëme dhe vetëm një magazinë u dogj.

Sipërfaqe të tëra me bimësi janë djegur, ndërsa gjithçka rreth e rrotull banesave është shkrumbuar totalisht.

Gjithashtu, flakët rrezikuan edhe Spitalin e Krujës. Zjarri u afrua 50 metra pranë ndërtesës, duke detyruar evakuimin e pacientëve drejt Tiranës.

Situata e vështirë ishte edhe në një biznes në rrugë drejt malit të Krujës ku flakët u afruan në oborrin e lokalit.

Për zjarrin që shkaktoi situatën dramatike, policia arrestoi 73-vjeçarin, Qemal Berhami. Ai ndezi barishte pranë shtëpisë së tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe u përhapën me shpejtësi, duke vënë në rrezik qytetin e Krujës.

Ndërsa në Shqipëri, dy vatra zjarri aktive raportohen sërish në Mallakastër. Një prej vatrave është riaktivizuar në zonën e Panahorit, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Greshicës.

Vatra tjetër përfshiu zonën mes fshatrave Drenije të bashkisë Patos dhe Vlosht të bashkisë Roskovec.

Po ashtu edhe në Gjirokastër një zjarr i përmasave të mëdha u aktivizua në zonën ndërmjet fshatrave Andon Poçi dhe Hundëkuq duke paraqitur rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.

Të ngjashme