Deputeti ukrainas: Për shkak të armëve serbe Zelenskyy nuk ndryshoi qëndrimin për Kosovën

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Për shkak se Serbia e furnizoi me armë Ukrainën në luftën ndaj Rusisë, Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, mbajti qëndrimin kundër Kosovës.

Kështu ka thënë Oleksiy Goncharenko, deputet në Parlamentin e Ukrainës dhe anëtar i delegacionit të Ukrainës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), në një përgjigje për VOX Kosova, kur foli për deklaratën e Zelenskyy-t se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës.

“Besoj se Presidenti Zelenskyy po përpiqet të gjejë një mënyrë për të siguruar njëfarë mbështetjeje nga Serbia. Është raportuar se Serbia i ka shitur Ukrainës një numër të padeklaruar predhash artilerie dhe raketash për sistemet MLRS që në vitin 2023. Nuk jam në dijeni nëse furnizime të tilla po vazhdojnë ende, por kjo mund të ofrojë një shpjegim për qëndrimin e Zelenskyy-t lidhur me këtë çështje”, tha Goncharenko për VOX-in.

Oleksiy Goncharenko.

Në prill të 2023-së, Reuters, duke iu referuar një dokumenti të rrjedhur të inteligjencës amerikane, i shënuar si “Secret”, kishte raportuar se Serbia ishte pajtuar që ta furnizojë me armë Ukrainë, madje thuhej se armët mund të kishin mbërritur në Kiev në atë kohë.

Edhe vetë Rusia, aleati më i madh i Serbisë në Evropë, në qershor 2025, e kishte akuzuar Beogradin zyrtar se po eksporton tërthorazi armë në Ukrainë.

Se nuk e ka ndërmend që ta njohë Kosovën, Zelenskyy deklaroi të shtunën, gjatë një vizite që pati në Beograd. Në një konferencë të përbashkët për media me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, Zelenskyy tha se “ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë. Ne e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, qëndrimi mbetet i pandryshuar”.

Kjo deklaratë shkaktoi reagime të shumta kundërshtuese në Kosovë. Edhe nga kryediplomati Glauk Konjufca. Madje, edhe flamuri gjigant i vendosur në qendër të Prishtinës me mbishkrimin “Free Ukraine” (Liri për Ukrainën), u hoq nga Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.

Kundërshtimet në Kosovë ndaj deklaratës së Zelenskyy-t kishin shkas, duke qenë se Kosova që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, është rreshtuar me Kievin zyrtar dhe iu është bashkangjitur sanksioneve evropiane ndaj Federatës Ruse.

Në Kosovë janë strehuar gjithashtu disa gazetarë ukrainas, të cilëve institucionet kosovare u kanë ofruar mundësi për të jetuar dhe punuar gjatë luftës.

Në anën tjetër, Serbia është ndër vendet e pakta evropiane që nuk i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë dhe vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta politike, ekonomike dhe ushtarake me Moskën. Nga shumë kush, Serbia konsiderohet edhe si “satelit” i Rusisë në Evropë.

Në këtë kontekst, sipas Goncharenko-s, Zelenskyy po përpiqet që të bëjë “manovër diplomatike” për të siguruar mbështetjen e Beogradit, derisa shton se “populli ukrainas dhe unë e mbështesim fuqishëm Kosovën”. “Personalisht, besoj se njohja duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur”.

“Nuk besoj se Zelenskyy po i dërgon ndonjë mesazh të veçantë Kosovës. Përkundrazi, duket se bëhet fjalë për një lloj manovre diplomatike që synon sigurimin e një mbështetjeje më të gjerë, ndërsa një tjetër dimër i vështirë është fare pranë”, potencon ai.

Deputeti ukrainas ka qenë vazhdimisht përkrahës i pavarësisë së Kosovës dhe ka kërkuar njohjen e saj nga Ukraina.

“Gjithmonë kam qenë një nga mbështetësit më të fortë të njohjes së Kosovës, si në Ukrainë, në cilësinë time si deputet, ashtu edhe në PACE, ku kam punuar për të mbledhur mbështetje për peticionin drejtuar Presidentit të Ukrainës për këtë çështje, si dhe për të vënë në pah qëndrimin pro-ukrainas të Kosovës”.

Ai beson se Kosovën do duhej që ta kishin njohur para luftës me Rusinë, kur, siç thotë ai, “kishim më shumë liri veprimi”. “Tani Ukraina është në luftë dhe ne kemi nevojë për të gjithë mbështetjen që është në dispozicion”.

Megjithatë, Goncharenko, që kishte vizituar Kosovën, insiston se “populli ukrainas e mbështet Kosovën dhe ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj”. “Personalisht, shpresoj që vendimi për ta njohur Kosovën të merret më shpejt sesa më vonë”.

Të ngjashme