Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka thënë se ndërtimi i urës së re në Mitrovicë është një nga zotimet e dhëna gjatë fushatës për zgjedhjet lokale.
Peci ka deklaruar se kjo urë po bëhet realitet me përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, ndërsa sipas tij, ajo do të ketë një funksion të veçantë për shkak të planifikimit për ndërtimin e Spitalit Rajonal të Mitrovicës në afërsi të saj.
“Në zgjedhje lokale ka qenë njëri prej zotimeve tona kjo urë. Me përkrahjen e Qeverisë po bëhet realitet. E kjo urë do të ketë edhe një funksion shtesë përtej urave të tjera të Mitrovicës, për shkak se në afërsi të kësaj ure ne do të ndërtojmë Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, ka thënë Peci.
Ai ka theksuar se institucionet komunale do të vazhdojnë me realizimin e zotimeve të dhëna para qytetarëve.
“Një nga një, të gjitha zotimet do t’i bëjmë realitet”, është shprehur Peci.
Sipas tij, ndërtimi i urave të reja në qytet do të ndikojë edhe në rëndësinë e urës qendrore të Mitrovicës.
“Sa më shumë ura në Mitrovicë që po ndërtohen, aq më shumë i bie vlera dhe rëndësia e forcave të panevojshme në urën qendrore të Mitrovicës”, ka deklaruar ai.
Peci ka thënë se Mitrovica po përjeton zhvillim dhe se zotimet e dhëna para qytetarëve po realizohen një nga një.
“Mitrovica po zhvillohet si asnjëherë më parë dhe ne po realizojmë një nga një të gjitha zotimet të cilat i kemi dhënë para qytetarëve”, ka përfunduar Peci.