Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka zbuluar një lokal nate në plazhin e Potamit, i cili ishte përshtatur për shitje të lëndëve narkotike, përfshirë kokainë.
Pas kësaj, sipas njoftimit, është arrestuar pronari dhe një punonjës i këtij lokali.
“Ndërhyrja e shpejtë e shërbimeve të Policisë, në ambientet e subjektit, mundësoi arrestimin në flagrancë të pronarit, shtetasit M. B., 33 vjeç, banues në Tepelenë, dhe banakierit, shtetasit A. Gj., 20 vjeç, banues në Lazarat.”, thuhet në njodtim.
Sipas njoftimit, 20-vjeçarit iu gjetën gjatë kontrollit fizik, 5 doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe 8 doza lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Në njoftim thuhet se ndërkohë gjatë kontrollit në banesën e 33-vjeçarit, u gjetën 145 doza lënde të dyshuar narkotike Kokainë, 1 peshore elektronike, si dhe 1 armë sportive (pistoletë) që posedohej pa leje.
“Sekuestrohen 150 doza Kokaine, 8 doza Cannabisi, arma sportive, 2 celularë dhe 1 peshore elektronike.”, thuhet në njoftim.