Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të pandehurit me iniciale L.B., F.S., dhe L.S., për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale për kryerjen e veprave penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancancave psikotrope dhe analoge”, ndërkaq i pandehuri F.S., edhe për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge“.
Sipas Prokurorisë, tre të pandehurit, dje rreth orës 16:00, në rrugën magjistrale Prishtinë-Mitrovicë, në fshatin Pestovë të Komunës së Vushtrrisë, së bashku me dy automjetet e tyre, pa autorizim kanë transportuar substanca narkotike të llojit marihuanë, me qëllim shitjeje. Njëri automjet është drejtuar nga i pandehuri L.B., ndërsa automjeti tjetër është drejtuar nga i pandehuri L.S., me pasagjer të pandehurin F.S, transmeton Klankosova.tv
“Të njëjtit gjatë tentimit të policisë për ti ndaluar në rreth rrotullimin e fshatit Pestovë, godasin policinë dhe në tentim për të ikur shkaktojnë vet aksident në fshatin Pestovë, ku gjatë patrullimit të veturës gjendet një çantë brenda të cilës janë gjetur dhe sekuestruar tre kilogramë e tetëmbëdhjetë (3018) gramë substancë narkotike e llojit marihuanë e cila është sekuestruar”, thotë Prokuroria.
Seanca për caktimin e masës së paraburgimit për tre të pandehurit pritet të mbahet para gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.