Kabashi-Ramaj për Kurtin: Mos e përdorni uniformën për të normalizuar krizën

Prishtinë | 14 Gus 2026 | 15:55 | Nga Artiona Çitaku

Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, ka reaguar lidhur me situatën aktuale institucionale në Kosovë, duke thënë se vendi nuk ndodhet në gjendje normale dhe se situata aktuale përbën, sipas saj, krizë shtetërore, raporton Ekonomia Online.

Ajo në një konferencë për media ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, duke pretenduar se ai po vazhdon ta ushtrojë funksionin e kryeministrit në mënyrë kundërligjshme, ndonëse është zgjedhur deputet dhe është betuar në Kuvend.

“Kosova nuk është në gjendje normale. Për një javë ditë, vendi ynë është pa institucione të konstituuara. Kurti vazhdon të ushtrojë funksionin e kryeministrit kundërligjshëm, ndonëse tashmë e ka marrë me mandat si deputet dhe e ka dhënë betimin si deputet para gjithë juve”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.

Sipas saj, edhe ministra të cilët janë betuar si deputetë vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre ministrore, duke marrë vendime dhe duke disponuar me paranë publike.

“Kemi ministra që njëkohësisht janë betuar si deputetë dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksione ministriore kundërligjshëm, të marrin vendime dhe të disponojnë me paranë publike, paranë tuaj, qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Kabashi-Ramaj ka ngritur kritika edhe për situatën në Presidencë, duke e lidhur atë me zinxhirin kushtetues të komandimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Dhe kemi një situatë të paprecedent edhe në presidencë, me pasoja të drejtpërdrejta për zinxhirin kushtetues të komandimit të forcës së sigurisë së Kosovës. Personi që mban pozitën e komandantit suprem të forcave të armatosura e mban atë pozitë gjithashtu kundërligjshëm”, ka deklaruar deputetja e zgjedhur e PDK-së.

Ajo ka thënë se, në një situatë të tillë, Kurti po përpiqet të krijojë përshtypjen e normalitetit përmes paraqitjeve publike, duke marrë si shembull ceremoninë e diplomimit të kadetëve të rinj të Shërbimit Korrektues.

“Kjo nuk është normalitet. Kjo është krizë shtetërore. Dhe pikërisht në këtë moment, Kurti po përpiqet të prodhojë një fotografi normaliteti”, ka thënë Kabashi-Ramaj.

Duke iu referuar ceremonisë, ajo ka kritikuar përdorimin e institucioneve të sigurisë në aktivitetet publike të kryeministrit në detyrë.

“Po, Kurti, Kosova ka nevojë për ta! Por mos i përdorni ata për t’i krijuar përshtypje qytetarëve se gjithçka është normale në shtetin tonë, institucionet e të cilit ju vetë po refuzoni me i funksionalizuar. Mos e përdorni uniformën për të normalizuar krizën, sepse këtë e keni bërë në vazhdimësi me sektorin e sigurisë. Ju kemi përcjellë”, ka deklaruar ajo.

Kabashi-Ramaj ka theksuar se policia, ushtria dhe Shërbimi Korrektues nuk duhet të shihen si mjete politike, duke thënë se këto janë institucione të Republikës së Kosovës.

“Uniforma e forcave të sigurisë, uniforma e policisë, uniforma e të gjithë atyre që shërbejnë në sektorin e sigurisë nuk është skenografi politike e juaja! Policia nuk është e Kurtit! Ushtria nuk është e Kurtit! Shërbimi Korrektues nuk është i Kurtit! Janë institucione të Republikës së Kosovës për të cilën është sakrifikuar shumë për me u krijuar”, ka thënë ajo.

Në fund, deputetja e zgjedhur e PDK-së ka rikujtuar edhe kërkesat për sigurim shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë, duke pretenduar se Vetëvendosja kishte votuar kundër.

“Vetëm pak muaj më parë, ne kërkuam sigurim shëndetësor dhe jetësor për pjesëtarët e sektorit të sigurisë: policinë, ushtrinë, AKI-në, zjarrfikësit, duke përfshirë edhe Shërbimin Korrektues. E kërkuam më shumë se një herë! Dhe shumica juaj, Vetëvendosja, vendosët kundër, votuat kundër! Ju u refuzuat sigurimin shëndetësor dhe jetësor”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj.

Të ngjashme