Gjykata Themelore në Ferizaj ua ka caktuar masën e paraburgimit dy të pandehurve D.A. .(26 vjeç) dhe A.A. (29 vjeç), për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “vrasja në tentativë”.
Ata dyshohet se mëngjesin e 13 gushtit, dy të pandehurit, bashkë me një të mitur 17-vjeç, kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 13 gusht 2026, rreth orës 06:10, në një rrugë në Ferizaj, të pandehurit D.A. dhe A.A., me dashje dhe në bashkëveprim së bashku me një të mitur kanë tentuar që ta privojnë nga jeta të dëmtuarin A.Sh., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje të mëhershme ndërmjet të pandehurit A.A. dhe të dëmtuarit A.Sh., e cila kishte ndodhur rreth një viti më parë në Zvicër, me t`u takuar ditën kritike fillimisht e përcjellin me veturë, posa i dëmtuari futet në market dalin nga vetura, ku i pandehuri D.A., nxjerr nga gjepi një mjet të mprehtë – thikë – dhe e godet njëherë në pjesën e majtë të abdomenit, ndërsa i pandehur A.A. e godet të dëmtuarin me grusht dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, kurse i mituri me një mjet të rrezikshëm – shkop druri – e godet të njëjtin në pjesë të ndryshme të trupit, për çka i dëmtuari detyrohet të kërkojë ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj e më pas edhe në QKUK në Prishtinë”, thotë Gjykata.
Kështu, gjyqtarja e procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtëve u është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.