Ismaili: PDK-ja nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu

Prishtinë | 15 Gus 2026 | 14:38 | Nga Gzim Mujaj

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga u.d. presidentja Albulena Haxhiu me partitë politike, ku pritet të diskutohet çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës, kështu bëri të ditur deputeti i kësaj partie Uran Ismaili, raporton Ekonomia Online.

Ai e ka cilësuar si manipulim politik diskutimin për shtyrjen e afateve, duke thënë se Haxhiu do të duhej t’i drejtohej kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, për thirrjen e Kuvendit.

“E para, kjo është edhe një tentativë, të themi, e manipulimit të zoti Kurti me shtyrjen e afateve, kundrejt afateve të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është një manipulim i radhës. Zonja Albulena Haxhiu, më mirë kishte me qenë t’i kishte shkruar letër zotit Avni Deharit, që ta thërrasë Kuvendin, sepse çdo pushtet në Kosovë, çdo funksion në Kosovë, politik, funksionon dhe bazohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës është i suspenduar”, tha ai.

Ismaili ka thënë se PDK-ja do të vazhdojë të jetë në Kuvend dhe të kërkojë respektimin e Kushtetutës, por nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Haxhiu.

“Çfarë logjike ka kjo? Qysh mundesh ti me ushtru mandate dhe me dërguar letra, e nuk ia dërgon letrën dhe ajo i zhdahesh si deputete letrën e parë me ia dërgu Avni Deharit? Prandaj, ky është një manipulim i radhës. Dhe PDKnuk do të jetë në atë takim. Ne të jemi në Kuvend, këtu, në aksione të ndryshme, ta mbrojmë Kushtetutën dhe prapë po i thojmë: ejani në Kuvend, mos ikni”, tha ai, raporton EO.

Të ngjashme