Bujar Buja, 43 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet spanjolle për trafik droge, është arrestuar në Aeroportin e Rinasit, teksa hynte në Shqipëri. I lindur në Gjakovë dhe banues në Amsterdam, ai kërkohej nga Spanja për t’u ekstraduar.
Sipas autoriteteve, Gjykata Qendrore e Instruksionit nr. 1 pranë Audiencës Nacionale të Madridit kishte caktuar ndaj tij, në korrik 2026, masën e sigurisë “arrest me burg”, pasi dyshohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.
Nga hetimet e Policisë Gjyqësore spanjolle është zbuluar një rrjet kriminal që vepronte kryesisht në zonën e Costa del Sol dhe dyshohet se merrej me trafikimin e kokainës në pjesë të ndryshme të Spanjës. Sipas dosjes hetimore, Buja dyshohet se ishte i përfshirë në transportin e lëndës narkotike.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”, ndërsa ndaj 43-vjeçarit kanë nisur procedurat për ekstradimin drejt Spanjës.