Ka vdekur në moshën 84-vjeçare një nga emrat më të mëdhenj të futbollit të Kosovës, Zenun Brovina.
Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i cili ka shprehur ngushëllime për familjen Brovina dhe komunitetin e futbollit.
Brovina ishte një prej futbollistëve më të spikatur të gjeneratës së tij. Karrierën e nisi te Vëllaznimi i Gjakovës, ndërsa më pas luajti edhe për Partizanin e Beogradit dhe Prishtinën.
Ai ishte gjithashtu kapiten i Reprezentacionit të Kosovës.
FFK-ja e ka cilësuar Brovinën si një figurë emblematike të futbollit kosovar, duke theksuar kontributin dhe gjurmën që la në klubet ku luajti dhe në përfaqësimin e Kosovës.
Vdekja e Brovinës vjen në të njëjtën ditë me ndarjen nga jeta të një tjetër legjende të futbollit kosovar, Erdogan Celinës.
“Sot futbolli ynë po i përcjell për në përjetësi dy nga futbollistët e tij më të çmuar, Zenun Brovinën dhe Erdogan Celinën. Lamtumirë Zenun Brovina! I përjetshëm qoftë kujtimi për Ju!”, shkroi mes tjerash Ademi.